Berisha: Ndërhyrja E Nato-S Për Çlirimin E Kosovës, Një Nga Ngjarjet Historike Për Lirinë E Kombit Shqiptar
TIRANË, 11 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Kryeministri Sali Berisha kujtoi sot 11-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin përfundimtar të Kosovës, ndërsa vlerësoi se "Kosova është shndërruar sot në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë, që prodhon paqe, stabilitet dhe bashkëpunim".
Në një konferencë për shtyp, Kryeministri Berisha e quajti një datë historike për lirinë e kombit shqiptar, lirinë e Kosovës.
"11 vjet më parë forcat tokësore të Aleancës së Atlantikut të Veriut, pas një fushate rreth tre mujore të sulmeve ajrore, hynë në territorin e Kosovës dhe çliruan atë nga një regjim barbar çnjerëzor që shkatërroi mbi 20 mijë jetë njerëzore dhe rrafshoi mbi 130 mijë banesa, shkolla, spitale dhe kopshte", tha Kryeministri Berisha.
"Me sulmin ajror dhe tokësor të Aleancës së Atlantikut të Veriut, kjo aleancë fitoi një dimension të ri në historinë e saj, dimensionin e mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Kosovë dhe në tërësi", tha Berisha.
Ai shprehu mirënjohjen ndaj ushtrive të vendeve anëtare të NATO-s, qeverive të tyre dhe ish Presidentit të SHBA-së, Bill Klinton, që udhëhoqi Aleancën me një betejë vendimtare për lirinë e shqiptarëve, për paqen dhe sigurinë në Kosovë, në rajon dhe në Europë".
Çlirimi i Kosovës, tha Kryeministri Berisha, "erdhi si rezultat i një lufte, trimërie, vetmohimi dhe sakrifice të qytetarëve të Kosovës, që në një betejë shumë të pabarabartë u angazhuan për liri dhe dinjitet". "Ata ia dolën të pushtojnë mendjen dhe zemrën e kombeve të qytetëruara. Ata ia dolën që me qëndresën, sakrificën dhe vetmohimin e tyre të sigurojnë mbështetjen e Aleancës më të madhe të lirisë së të gjitha kohërave", tha Kryeministri Berisha.
Sot pas 11 vitesh, ai shprehu bindjen se "çdo qytetar i vendeve anëtare të NATO-s, qeveritë dhe ushtritë e këtyre vendeve ndihen krenarë pasi Kosova nga vendi më i rrezikshëm dhe më i pasigurtë në Europë, falë kësaj ndërhyrje, pranisë së KFOR-it dhe përkushtimit të madh të autoriteteve të Kosovës dhe qytetarëve të saj është shndërruar në një nga vendet më të sigurta në rajon dhe më gjerë".
Në përfundim Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kjo datë e shënuar në historinë kombëtare, e gjen Shqipërinë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë nisën në 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. NATO ndali sulmin e saj më 10 qershor të vitit '99 dhe i dha fund regjimit të Sllobodan Milosheviçit në Kosovë, pas miratimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Pas bombave të hedhura nga forcat aleate të NATO-s për njëmbëdhjetë javë rresht, Serbia u detyrua të ndalë spastrimin etnik dhe të largojë forcat policore dhe ushtarake nga Kosova, që mundësuan kthimin në Kosovë të mbi 800 mijë refugjatëve të shpërndarë në Shqipëri, Maqedoni dhe vende të ndryshme të botës.
Kosova shpalli pavarësinë në 17 shkurt të vitit 2008./n.m/