English

Berisha: Përzgjedhja E Shefave Të Klinikave Shëndetësore, Konform Standardeve Më Të Larta

- Taske Force për Shëndetësinë diskuton për reformimin e Fakultetit të Mjekësisë - TIRANË, 11 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha drejtoi sot mbledhjen e Taske Forcës për Shëndetësinë ku u vendos që, përzgjedhja e shefave të klinikave shëndetësore të bëhet konform kërkesave në rritje të kohës dhe standarteve më të larta. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Taske Force për Shëndetësinë diskutoi sot për reformimin e Fakultetit të Mjekësisë, duke u ndalur te roli që kanë shefat e klinikave, jo vetëm në diagnostikimin dhe trajtimin e pacientëve, por dhe në kërkimin shkencor, përgatitjen e studentëve e stafeve, si dhe në menaxhimin e sektorit që ata drejtojnë". Pas diskutimeve të gjëra, u përcaktuan mekanizmat e zgjedhjes së shefave të klinikave dhe u vendos që ky proces t`i nënshtrohet konkurimit të hapur e ndërkombëtar dhe shqyrtimit në komisionet e ngritura për këtë qëllim. Vendimi përfundimtar do të merret nga një bord i posaçëm. Në lidhje me kurikulat e lëndëve që studjohen në dy vitet e fundit në Fakultetin e Mjekësisë, u vendos që krahas lëndëve të detyruara, të përcaktohen edhe lëndët me zgjedhje. Lëndët me zgjedhje, theksoi kryeministri, janë shumë të rëndësishme për të nxitur talentin dhe dëshirat e studentëve dhe për t'u krijuar atyre mundësitë për thellimin e dijeve dhe të kërkimit shkencor në ato disiplina, për të cilat kanë krijuar preferencat më të mëdha gjatë viteve të studimit. Kryeministri u shpreh se "reformat duhet të përfillin interesat, ëndrrat dhe opinionet e studentëve në çdo fushë të arsimit të lartë". Ai i kërkoi ministrit të Arsimit që lëndët me të drejtë zgjedhje, të shtrihen në çdo degë, edhe në fakultetet e tjera, në programe masteri apo doktorature. Taske Force diskutoi edhe çështjen e rekrutimit të pedagogëve të rinj në Fakultetin e Mjekësisë dhe rritjen e numrit të tyre, në mënyrë që raporti pedagog-studentë t`i afrohet vendeve të OECD-s. Tërësia e këtyre hapave që po ndërmerren është në funksion të krijimit të Universitetit të Shëndetësisë, përgatitjes sa më të mirë të studentëve, mjekëve e personelit, ngritjes së nivelit kurativ e shkencor të klinikave e laboratorëve me qëllim final, përmirësimin e kujdesit shëndetësor për popullatën./m.m//n.m/
KOMENTE