Sarajevë, 11 Qershor, NOA – Qëndrimi negativ i politikanëve serbë të Republika Serbskës, është shkak që edhe boshnjakët të mos e njohin pavarësinë e Kosovës dhe një fakt të tillë e ka bërë me dijeni vetë Haris Silajdzic, kryesues i presidencës së Bosnjë-Hercegovinës.
Sipas tij, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë kurrë në rendin e ditës në Bosnjë, pasi me përbërjen që ka ky vend, kjo gjë do të ishte e pamundur.
Dihet se presidenca e Bosnjë-Hercegovinës përbëhet nga tre veta: një boshnjak, një, kroat e një serb dhe se për të njohur Kosovën duhet consensus i këtyre të treve, gjë që duket e pamundur nëse është një serb në mes.
Lidhur me këtë çështje, kryetari i parlamentit të Republika Serbskës, Igor Radojicic, pohon se kundërshtimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës ngrihet mbi faktin se vetë shpallja e saj ishte precedent ndërkombëtar.
"Falë këtij qëndrimi të Banja Llukës edhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njeh shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës", thotë ai.
n.e/NOA