Demontimi I Municioneve/Ministri Imami Kërkon Ndihmë Teknike Dhe Financiare Nga Shba
TIRANË, 11 Qershor/ATSH/.- Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë qëndrimit të tij në SHBA kërkoi ndihmën teknike dhe financiare amerikane në përshpejtimin dhe përfundimin e procesit të demontimit të municioneve të tepërta në Shqipëri.
Sipas njoftimit për shtyp nga MM, në kuadër të vizitës që po zhvillon prej dy ditësh në SHBA, ministri shqiptar i Mbrojtjes zhvilloi takime të veçanta me senatorët Lugar dhe Liberman.
Gjatë takimit me senatorin Lugar, Imami vlerësoi mbështetjen e tij në procesin e shkatërrimit të armëve kimike në Shqipëri duke bërë që vendi ynë të jetë i pari vend në botë pa armë kimike.
Duke folur për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ministri Imami theksoi se dy drejtimet kryesore të punës së FA-së Shqiptare janë zhvillimi i aftësive operacionale dhe asgjësimi i municioneve të tepërta.
"Ky proces po vazhdon me ritme më të larta në uzinat ushtarake në Mjekës dhe në Poliçan. Për të vënë procesin e demontimit të municioneve në kushte teknike sa më moderne dhe të sigurta, kemi kërkuar ndihmën edhe të NAMSA-s dhe të NATO-s", tha Imami.
Me këtë rast, ai kërkoi nga senatori Lugar mbështetjen e tij për më shumë ndihmë teknike e financiare nga SHBA në përshpejtimin dhe përfundimin e procesit të demontimit në Shqipëri, duke bërë të mundur një sukses të ri, si vendi i rajonit që do t'i eleminojë plotësisht këto municione.
Nga ana e tij, senatori Lugar vlerësoi arritjet në Shqipëri dhe në FA Shqiptare, sidomos tashmë pas anëtarësimit në NATO. Ai dha mbështetjen e tij për vazhdimin e procesit të reformave dhe rritjen e kapaciteteve në FA Shqiptare.
Në takimin me senatorin Liberman, ministri Imami tha se FA Shqiptare kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin një kontribut të ndjeshëm në operacionet e paqes dhe aktualisht kemi vendosur për rritjen e numrit të trupave në Afganistan me një kompani prej 44 trupash. Senatori Liberman vlerësoi këtë angazhim të trupave ushtarake shqiptare në Afganistan.
Në takim u fol dhe për situatën në rajonin e Ballkanit, ku ministri Imami shprehu mbështetjen për anëtarësimin në NATO edhe të vendeve të tjera të rajonit tonë.
"Historia e NATO-s në Ballkan është e shkëlqyer, tha Liberman, sepse NATO nuk është vetëm një organizatë ushtarake, por dhe politike, pasi mund të veprojë si një institucion që shërben për frymëzim dialogu nëpërmjet sigurisë".
Në takim u diskutua edhe për Kosovën, sidomos për situatën në Mitrovicë dhe se si do të menaxhohet vakumi i sigurisë atje. Senatori Liberman u shpreh se duhet një bashkëpunim me Serbinë për mosfinancimin e strukturave paralele në atë zonë./a.s//a.ke/