Durrës: Diskutime Shkencore Mbi Politikat Ekonomike Dhe Integrimi Në Be
DURRËS, 11 qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/ - Studjues dhe përfaqësues nga kompani dhe institucione ekonomike nga vende të ndryshme të Evropës, të mbledhur në Durrës po diskutojnë mbi politikat ekonomike dhe integrimi në BE në një konferencë shkencore ndërkombëtare, organizuar nga universiteti "A.Moisiu" dhe CEDIMES (Qendra e Studimeve të Zhvillimeve Ndërkombëtare dhe Lëvizjeve ekonomike dhe sociale), me qënder në Paris (Francë).
Rektori i Universitetit "A. Moisiu", Agim Kukeli tha për ATSH-në, se konferenca shkencore po bëhet traditë, por tematika e këtij edicioni të dytë është shumë më e gjerë dhe bashkëkohore.
Gjatë dy ditëve të konferencës që po i zhvillon punimet në disa seksione paraqesin punimet e tyre studiues nga universitetet e Durrësit dhe Tiranës, nga ato të Barit, Ankonës, Perugias (Itali), Sofie (Bullgari), Torun (Poloni), Shkup (Maqedoni), institucione dhe akademi të tjera evropiane.
Sipas organizatorëve, artikujt shkencorë do të botohen në vëllimet vijuese të periodikut "Journal of studies on economics & society".
Vëllimi i sapobotuar i kësaj Reviste shkencore përmban 15 studime nga pedagogë shqiptarë dhe të huaj në fushat e marketingut, menaxhimit, reformave dhe legjislcionit në sektorin financiar si dhe trajtime të krizës gobale dhe të impaktit të saj për vendet kandidate për anëtarësimin në BE.
"Sfidat e integrimit rajonal dhe evropian të vendit tonë; globalizimi i kompanive dhe strategjitë e tyre orientuese; ndotja e mjedisit dhe ngrohja globale, si dhe roli i ri i qeverive në hartimin e politikave janë disa nga temat që do të trajtohen në Konferencën e dytë që është organizuar brenda nje viti nga Universiteti jonë," tha prof. dr. Esmeralda Uruçi.
Sipas saj, punimet e paraqitura deri tani janë ambicioze dhe shkojnë në të njejtin hap me zhvillimet shkencore të vendeve të avancuara të Evropës perëndimore./ch/