English

Durrës: Mot I Qëndrueshëm, Kushte Të Mira Për Lundrim

DURRËS, 11 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Moti i qëndrueshëm dhe kushtet e mira detare do të shoqërojnë gjatë ditës së dielë situatën meteorologjike në rajonin e Durrësit, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit. Që në orët e para të ditës në kalatat e portit më të madh të vendit janë ankoruar katër tragetet e linjës Bari-Durrës, ndërsa në mbrëmje priten edhe tragete të tjerë, përkatësisht nga Ankona dhe Trieste. Kushtet e mira detare të ditëve të fundit kanë favorizuar gjuetinë e motopeshkatoreve të sektorit të Durrësit, të cilat kanë vijuar lundrimin në rajonin detar nga grykëderdhja e Semanit në jug deri në brigjet përballë Shëngjinit-shtuan burimet e kapitenerisë së portit më të madh të vendit. Sot paradite era fryn e lehtë nga veriperëndimi dhe proçesi i përpunimit të anijeve do të vazhdojë normalisht. Moti me diell dhe temperaturat deri në 29 gradë celcius pritet të sjellin në qytetin bregdetar dhe në plazhin pranë tij qindra familjarë që shfrytëzojnë fundjavën. /s.s./
KOMENTE