English

Ekonomi - Barroso E Përjashton Idenë E Një Sulmi Kundër Euros Në Tërësi

LISBONË, 11 qershor /ATSH-AFP/ - Presidenti i Komisionit Evropian Hose Manuel Barroso u shpreh sot se presioni i tregjeve financiare mbi euron nuk synon monedhën unike në tërësi, por borxhet e disa vendeve anëtare. "Për herë të parë ishim të pranishëm jo në një sulm kundër euros, por në një sulm kundër borxhit të disa vendeve të zonës euro", deklaroi Barroso në një konferencë në Lisbonë. Në mënyrë paradoksale tregjet na dërgojnë sinjalin më interesant: duhet të organizohemi më mirë", u shpreh ai gjatë një kolokiumi të organizuar me rastin e 25-vjetorit të nënshkrimit të Traktatit të anëtarësimit të Spanjës dhe Portugalisë në Komunitetin Ekonomik Evropian, CEE, që u bë më vonë Bashkimi Evropian, BE. Duke u shprehur se situata aktuale përbën një test për vetë parimin e solidaritetit evropian" presidenti i Komisionit theksoi se kriza e borxhit kërkon nga drejtuesit evropianë "një përpjekje më të madhe, spse vendimet janë të vështira dhe nuk janë të qarta". "Pasojat sociale të recesionit, të shkaktuara nga kriza financiare, rrisin ankthet e qytetarëve dhe përpjekjen për të vepruar secili për vete", shpjegoi ai. Për të rifituar besimin e tregjeve dhe për të shmangur rrezikun e një përhapjeje të krizës greke në vende të tjera të zonës euro, ndër të cilat Spanja dhe Portugalia, evropianët miratuan përfundimist të hënën një fond emergjence prej 440 miliardë eurosh dhe ranë dakord për të ashpërsuar disiplinën buxhetore. /I.Pu.
KOMENTE