Ekonomi - Fmn-Ja I Kërkon Sllovenisë Reformimin E Sistemit Të Pensioneve
LJUBJANË, 11 qershor /ATSH-AFP/ - Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, i kërkoi sot Sllovenisë të reformojë sa më shpejt sistemin e saj të pensioneve dhe të kufizojë pagat në funksionin publik për të siguruar një ekuilibër të qëndrueshëm të financave publike.
"Një reformë e pensioneve duhet të vihet në zbatim sa më shpejt që të jetë e mundur, preferohet madje përpara fundit të vitit", deklaroi përpara gazetarëve shefi i misionit të FMN-së Antonio Spilimbergo në përfundim të një vizite 10-ditore në Ljubjanë.
Reforma e pensioneve dhe e tregut të punës do të bëjë të mundur sigurimin e ekuilibrit në një afat të gjatë të financave publike, shtoi ai.
Qeveria e qendrës së djathtë po negocion aktualisht me partnerët socialë lidhur me një tërësi ligjesh për reforminin e pensioneve, duke rritur veçanërisht moshën e daljes në pension dhe tregun e punës, duke e bërë atë më elastik.
Spilimbergo kritikoi gjithashtu vendimin, e marrë në mars nga qeveria për rritjen me 20 për qind të pagës minimale në 562 euro neto: "rritja nuk u shoqërua me një reformë të pensioneve dhe, duke parë rritjen e vogël ekonomike, kjo rrezikon konkurrencën e ekonomisë sllovene", paralajmëroi zyrtari i FMN-së.
Ai i kërkoi qeverisë të kufizojë rritjen e pagave të sektorit publik të cilat janë rritur shumë në të kaluarën.
Deficiti i Sllovenisë arriti në 5,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitin 2009. Buxhetet e votuara për vitet 2010 dhe 2011 mbësheten në deficitet përkatëse 5,8 për qind dhe 4,8 për qind.
FMN-ja parashikon një rritje prej 0,8 për qind të ekonomisë sllovene këtë vit pas një rënieje prej 8,1 për qind në vitin 2009, njoftoi Spilimbergo i cili kujtoi se konsumi i dobët në Slloveni krijon paqartësi në këto shifra.
Banka kombëtare sllovene parashikon një rritje prej 1,3 për qind të PBB-së për vitin 2010, ndërsa qeveria, më pak optimiste, njofton vetëm 0,6 për qind të rritjes.
/I.Pu.