English

Fishë Teknike/Liqeni I Prespës-Ekosistemi Me Vlera Të Veçanta Natyrore

RA TË VEÇANTA NATYRORE TIRANË, 11 Qershor/ATSH-Eriola Çuko/ - Baseni i liqeneve të Prespës është një peizazh ekologjik dhe kulturor që përfshin katër Parqe Kombëtare me florë, faunë dhe habitate unike. Në kuadrin e bashkëpunimit ndërkufitar funksionon Komiteti Koordinues i Parkut të Prespës, një organizëm trepalësh që përfaqëson qeveritë, autoritetet lokale dhe shoqërinë civile. Ky Komitet mbështet mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Parkun ndërkufitar të Prespës për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore dhe mirëqënien e popullsisë. Pjesa shqiptare e Prespës, e shpallur Park Kombëtar me VKM 80 në 18 shkurt 1999, ka një sipërfaqe prej 27,750 ha. Një vit më vonë në 2 shkurt 2000, Kryeministrat e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë nënshkruan "Deklaratën për krijimin e Parkut të Prespës dhe Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Liqeneve të Prespës dhe zonave përreth tyre". Më vonë, në 2002, u nënshkrua një Memorandum Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes së mjedisit ndërmjet Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Punëve Publike të Republikës së Greqise dhe Ministrisë së Mjedisit të Shqipërisë. Mes të tjerave, fokusi i marrëveshjes përfshin bashkëpunimin veçanërisht në mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Liqeneve të Prespës dhe zonës përreth tyre. Në Shtator 2006 filloi të zbatohet projekti "Menaxhimi i Integruar i Ekosistemit në basenin e Liqeneve të Prespës në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi", me qëllim ruajtjen e biodiversitetit shumë të rëndësishëm global në basenin e liqeneve në tre shtetet kufitare. Qeveritë e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë kanë rënë dakord të reduktojnë ndotjen në liqen dhe të prezantojnë praktika të një menaxhimi mjedisor në Basenin e Prespës që integron dhe koordinon qëllimet ekologjike, ekonomike dhe sociale. Projekti po zbatohet nga UNDP, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave - për komponentin shqiptar. Kontributi i Fondit Global për Mjedisin është 1,050,000 USD, kontributi i Qeverise Shqiptare është 120,000 USD dhe i zyrës së PNUD-it ne Shqipëri është 150,000 USD. Në pjesën shqiptare të Parkut te Prespës, vlerësohet se popullsia është në rritje me një dendësi relativisht të lartë prej 20 banorë për metër katror. Në pjesën shqiptare të parkut nuk ka zhvillim industrial. Flora e pjesës shqiptare të Parkut Kombëtar te Prespës numëron rreth 1000 lloje, ose 30% të gjithë florës së Shqipërisë. Numërohen rreth 50 lloje te faunës dhe rreth 19 lloje bimore, të cilat gjenden vetëm në pellgun ujëmbledhës të Prespës, 1600 lloje fluturash dhe një shumëllojshmëri e madhe amfibësh dhe reptilësh. Parku i Prespës është një vend globalisht i rëndësishëm për ushqimin, shumimin dhe folenizimin e rreth 91 specieve të shpendeve migratorë, përfshi edhe llojin globalisht te rrezikuar të Pelikanit Dalmat (kaçurel). Të paktën 19 lloje të faunës se eger në Park janë të rrezikuara. Niveli i zhvillimit të turizmit është relativisht i ulet, por lidhjet midis mbrojtjes së mjedisit dhe turizmit po bëhen më të qarta dhe më të rëndësishme sepse ekoturizmi po zhvillohet në këtë zonë, ashtu si dhe në të gjithë vendin./s.s./
KOMENTE