Flotilja Për Gazën - Shba Përsërit Mbështetjen Për Një Hetim Izraelit
UASHINGTON, 11 qershor /ATSH-AFP/ - Shtetet e Bashkuara përsëritën sot mbështetjen për një hetim që përfshin një pjesëmarrje ndërkombëtare, por të drejtuar nga Izraeli, për sulmin e 31 majit kundër një flotiljeje humanitare për Gazën.
"Po përqendrohemi në një hetim të drejtuar nga Izraeli dhe po shqyrtojmë mundësinë se në ç'mënyrë mund ta mbështesë atë komuniteti ndërkombëtar", deklaroi Philip Crowley, zëdhënës i diplomacisë amerikane.
"Kur futet një pjesëmarrës ndërkombëtar merret një kompetencë shtesë dhe gjithashtu më tepër forcë dhe besueshmëri në hetim", shtoi ai, duke marrë si shembull hetimin ndërkombëtar për mbytjen e një anijeje lufte koreanojugore në mars.
Sipas medias izraelite, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë pranë një marrëveshjeje për krijimin e një komisioni hetimor lidhur me sulmin që ka shkaktuar nëntë të vdekur.
Nga të njëjtat burime mësohet se komisioni do të përfshijë dy vëzhgues të huaj, një amerikan dhe ka shumë të ngjarë një evropian dhe do të drejtohet nga gjykatësi tashmë në pension i Gjykatës së Lartë Yaakov Tirkel.
/I.Pu.