English

Histori Lufte/ Gjirokastër: Nga Vdekja Më Shpëtoi Italishja Dhe Një Grua

GJIROKASTËR, 11 Qershor/ATSH-Telnis Skuqi/ - Gjatë Luftës së Dytë Botërore, minoritarin partizan Feothat Zoto 21 vjeç, gjermanët e dënuan me vdekje dhe më pas e internuan, por ja doli të mbijetonte vetëm nga gjuha italiane dhe një grua gjermane. Edhe pse kanë kaluar 66 vjet që atëhere, minoritari Feothat Zoto sot 87-vjeçar, arsimtar në pension nga fshati Polician, 40 km larg Gjirokastrës, tregon se si gjermanët e kapën rob teksa tentonte të largohej nga kampi i qëndrimit Barthorn, krahinë e Renanit, pranë kufirit Holandez. "Ishte fundviti 1944 dhe luftës po i vinte fundi. Gjermanët ishin tërbuar dhe në tentativë arratisjeje, më kapën disa kilometra larg qytetit Essen. Vdekja ishte e sigurt, sepse të gjithë të internuarit që largoheshin fshehurazi nga kampi ekzekutoheshin jashtë qytetit", tregon Zoto. "Disa kilometra larg vdekjes, një grua gjermane, rreth 50 vjeç, që më pas mësova se ishte kryetarja e lagjes, më pyeti për origjinën. Pa asnjë mëdyshje fola italisht dhe kaq mjaftoi që ajo të më merrte në mbrojtje, duke iu lutur komandatit të mos më ekzekutonte", kujton Zoto, duke shtuar "më shpëtoi nga vdekja". Sipas tij, këtë gjest gruaja e bëri në respekt të dhëndërit inxhinier italian, me të cilin ishte martuar vajza e saj e vetme në Itali. Feothat Zoto, baba i katër fëmije të rritur, 3 emigrantë, njëri në SHBA, kujton se si në Luftën e Dytë Botërore, në operacionin e qershorit të vitit 1944, gjermanët ndaluan 67 burra, i mbajtën disa ditë në kishën e Shën Thanasit, 200 metra larg fshatit Poliçan dhe më pas i nisën në një rrugëtim drejt kampit nazist në kufi me Hollandën. "19 ditë dhe netë kam udhëtuar me këmbë dhe automjet drejt kampit të internimit gjerman", rrëfen Zoto, duke shtuar se atje mbante varur në qafë, numrin 144420. "Nuk kishim asnjë të drejtë njerëzore, as mjek, as Kryq të Kuq, asgjë", thotë Zoto, që shton se të gjithë të internuarit nga shtetet e ndryshme të Europës, trajtoheshin dhe tranportoheshin si kafshë. "Na detyronin të punonim gjithë ditën për të ndërtuar kulla mbrojtje për gjermanët. Në mëngjes na jepnin një kafe sade, 180 gram bukë dhe një margarinë të ndarë në 32 pjesë. Në drekë një luhare me lakra të bardha, në darkë asgjë", pohon Zoto. Zoto tregon se në 5 prill 1946, ushtritë France, Angleze dhe Amerikane çliruan qytetin Borthorn dhe 10 mijë të internuar u liruan dhe u trajtuan mirë nga trupat aleate. "Më çliruan dy ushtarë anglezë dhe me ta kam pasur korrespondencë deri në vitin 1947", kujton Zoto. Këtu, në Poliçan familja e kishte qarë, pasi emri i tij nuk figuronte në listën e të vdekurve, apo të Kryqit të Kuq. "Të afërmit kujtonin se isha ekzektuar pa mbërritur në kampin e internimit. Pas një udhëtimi të gjatë dhe të lodhshëm, në janar 1947, u takova me tim atë dhe me fisin dhe prej atëhere kam punuar 35 vjet mësues në vendlindje, pa u larguar", përfundon rrëfimin Feothat Zoto./ch/
KOMENTE