English

I Jepet Lamtumira E Fundit Studiuesit Dhe Përkthyesit, Gjergj Zheji

TIRANË, 11 Qershor/ATSH- Suada Daci/- Shkrimtarit, përkthyesit, dhe studiuesit të letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji, që u nda nga jeta dje në moshën 84-vjeçare, iu dha sot lamtumira e fundit nga miq, politikanë, kolegë e artdashës, në mjediset e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku bënë homazhe pranë trupit të tij të pajetë. Miq dhe të afërm ndanë kujtimet për një njeri të jashtëzakonshëm, i cili do t`i mungojë letarave të gjuhës shqipe. Gjergj Zheji, ishte një nga personalitetet e kulturës shqiptare, që dha kontribut në disa fusha. Ai do të mbetet i pari studiues që ka realizuar një monografi për jetën e Andon Zako Cajupit. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare dhe studjuesi Aurel Plasari shprehet për ATSH-në, se "Gjergj Zheji do të kujtohet nga të gjitha moshat, që nga fëmijëria ku lexohen "Aventurat e Pupagjelit", deri në moshën e pleqërisë ku lexohet "Mosha e Platonit". "Ai u ka ofruar këtë ushqim fisnik shqiptarëve për t'a kujtuar në gjitha stadet e moshës së tyre, dhe besoj se është një gjetje për t'ia pasur zili, sepse jo të gjithë ia arrijnë të përmbushin këtë gamë ushqimi shpirtëror për popullin e tyre", tha ai. Plasari vë në dukje se, "Gjergj Zheji u shndërruar në një përkthyes në periudhën e vështirë të dikaturës kur përkthimi i letërsisë së madhe botërore ishte një lloj ikje nga diktatura si dhe një kundërvënije ndaj saj. Këtë bënte Gjergj Zheji kur përkthente dramat e Ibsenit, Gëtes, Librin e Xhunglës. Por dashuria për letërsinë botërore nuk i humbi as në periudhen në lirisë kur ai realizoi disa nga ëndrrat e tij si "Republika e Platonit", tekstet filozofike, "Shopenhauer", që ishin tituj ku ai i ëndërronte kur ishte i ri, por i realizoi në një epokë tjetër". Gjergj Zhejin e cilëson "si një njeri me oratori natyrore", Rektori i Akademisë së Arteve, Petrit Malaj. "Ai kishte një oratori natyrore edhe në fushën e artit, sepse arti ynë nuk ka nevojë vetëm për një krijimtari të vlerave artistike, por ka nevojë për një teori të mirëfilltë të artit, dhe një ndër ata në fushën e artit tonë dramatik, ka qënë edhe profesor Zheji", tha Malaj. Në punën e Gjergj Zhejit, spikasin studimet për metrikën shqipe, me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike. Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Një kontribut të jashtëzakonshëm zënë veprat e tij studimore për folklorin, të cilin e cilësonte, "filozofi e popullit shqiptar"./n.m/
KOMENTE