Kryeministri Thaçi nuhati diçka që po duket sheshazi. Çekani antikorrupsion do të godasë në krye të kabinetit të tij. Duke e pasur të qartë këtë nga takimet e mbyllura që mbajti ditëve të fundit me krerët e pranisë ndërkombëtare në Kosovë kryeministri po bën një përpjekje të çastit të fundit që të shkëputet nga darët e dyshimeve të mëdha për korrupsion
Nga Driton Avdiu*
Sot kryeministri i vendit na u drejtua neve qytetarëve me një flamur që po e mban në dorë tash e sa ditë - luftë kundër korrupsionit. Por ç’i ndodhi kryeministrit që ta shpallë veten prijatar të luftës kundër korrupsionit, vetëm pak ditë që nga paraqitja publike në RTK kur akuzoi të njëjtin mekanizëm që sot e uron dhe e mbështet në këtë luftë pra EULEX-in, se po e linçon një ministër-njeriun e dytë në partinë e tij. Atë ditë aksioni i EULEX-it ndaj ministrit të ministrisë më të përfolur për korrupsion ishte “përpjekje për linçim”. Sonte (dhe në 5-6 ditët e fundit) kryeministri e ndërroi plotësisht pllakën.
Kjo paraqitje e kryeministrit u pasua nga disa paraqitje të tjera publike të kryeparlamentarit dhe të kryetarit të shtetit që shkuan në të njëjtën vijë me paraqitjet e kryetarit të qeverisë.
Kryeministri Thaçi nuhati diçka që po duket sheshazi. Çekani antikorrupsion do të godasë në krye të kabinetit të tij. Duke e pasur të qartë këtë nga takimet e mbyllura që mbajti ditëve të fundit me krerët e pranisë ndërkombëtare në Kosovë kryeministri po bën një përpjekje të çastit të fundit që të shkëputet nga darët e dyshimeve të mëdha për korrupsion.
Por a mund ta bëjë këtë vetëm me një paraqitje 10-15 minutëshe në televizion? A mund ta zhdukë një paraqitje disaminutëshe në opinion atë që është ngulitur fort në përshtypjet e qytetarëve të përditshëm të Kosovës tani e disa vjet me radhë?
Kryeministri e di mirë që këtë nuk mund ta arrijë, por kur është në pyetje humbja e madhe e besueshmërisë së qytetarëve në të dhe në politikën e tij ia vlen gjithsesi të bësh një provë. Një tentim që qoftë edhe simbolikisht tregon se ja edhe kryeministri e ka seriozisht në luftën kundër korrupsionit.
Por paraqitja e sotme e kryeministrit na detyron t’ia themi troç disa fjalë. Kjo betejë është e humbur për Ju z. kryeministër! Le të hetohen 100, 200 a 2000 zyrtarë institucionalë nga cilado periudhë e pasluftës qoftë. Do të mbetet e shënuar në analet e historisë se në periudhën e mandatit tuaj institucionet e këtij populli u vërshuan nga hetuesit policorë të EULEX-it. Sado politike që tentoni t’i paraqisni këto bastisje (dhe padyshim se do të shfrytëzohen nga qarqe ndërkombëtare edhe për arritjen e objektivave të veta politike) është e vërtetë e pakontestueshme se dyshimi për keqpërdorime të pakufi i pushtetit politik për përfitime të paligjshme pasurore nga anëtarët e kabinetit Tuaj ishte magneti që solli autoblindat e EULEX-it para dyerve të institucioneve të shtetit.
Populli ynë nuk e ka merituar dhe nuk e meriton që institucionet që do të duhej të mbronin interesat e tij të shndërrohen në caqe policore dhe gjyqësore për mbledhjen e dëshmive për keqpërdorim të djersës së tij dhe për shkeljen e besimit që iu është dhënë nga ajo pjesë e popullit që Ju kanë votuar ju dhe ministrat tuaj. Kjo ju bën humbës z. kryeministër. Humbës në betejën “që e nisët” atëherë kur e gjithë populli e pa qartazi që beteja kishte ditë që u nis. Dhe u nis nga të huajt e jo nga Ju.
(*) Dërguar nga autori, Sekretar për Marrëdhënie me Publikun i Lëvizjes për Bashkim. Qëndrimet janë personale