Tiranë, 11 Qershor, NOA - Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, mori pjesë sot në seminarin shkencor për diseminimin e rezultateve kryesore të projektit “Menaxhimi i Qëndrueshëm i Ujërave Ndërkombëtare: Liqeni i Prespës”, në kuadrin e programit “NATO Science for Peace and Security”.
Pasi u njoh me prezantimin e studimit nga të pranishmit, në lidhje me situatën në liqenin e Prespës, por edhe përsa i përket një mirëmenaxhimi të të gjithë hapësirave ujore ndërkombëtare, ai u sugjeroi studiuesve të pranishëm që investimet për studime të tilla të gjykohen më thellësisht, pasi gjendja lë për të dëshiruar.
Ndërkaq, ai kërkoi edhe bashkërendimin e mendimit shkencor mes rektoratit, akademikëve, specialistëve të mjedisit, si një nga momentet më të rëndësishme që mund të sjellin daljen nga kjo situatë.
“Në këtë kontekst, - tha ministri Mediu, - për rastin konkret, liqenin e Prespës, duhet një një bashkëveprim mes tre shteteve, Shqipëri, Greqi, dhe Maqedoni, madje të shikohet shumë shpejt mundësia e organizimit të një forumi ndërshtetëror, për ruajtjen e këtij sistemi ujor shumë të rëndësishëm dhe të veçantë”.
Gjithashtu Meidu, vuri theksin edhe në mënyrën e bërjes së studimeve, pasi sipas tij, ka ardhur koha që të hiqet dorë nga monitorime parciale, ose sa herë që lindin probleme, por duhet të ketë një sistem monitorimi të unifikuar, të dhënat e të cilit, të gjejnë mundësi implementimi.
Modele të tilla, mund të merren edhe nga vendet e përparuara të BE, duke bërë në këtë mënyrë që edhe legjislacioni ynë të përafrohet gjithnjë e më shumë me atë evropian.
Në fund, ministri Mediu, theksoi se një aspekt tjetër, mjaft i rëndësishëm për liqenin e Prespës, të cilit i duhet kushtuar një vëmendje maksimale, është edhe turizmi, i cili për momentin është pothuajse inekzistent.
n.e/NOA