Meta:Vizat Brenda 2010, Ke Vlerësim Pozitiv Për Progresin E Shqipërisë
TIRANE, 11 Qershor / ATSH- A.Gegvataj/ - Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, shprehu të enjten në mbrëmje, në një emision televiziv, bindjen e plotë se "të gjithë ata qytetarë që posedojnë pasaporta biometrike do të lëvizin në hapësirat Shengen brënda këtij viti".
Duke folur për pritshmërinë e Shqipërisë për liberalizimin e vizave zv/kryeministri Meta tha se tashmë kjo çështje varet nga ne, dhe sipas tij, deri tani kanë përfunduar 98 për qind e detyrave.
Ai shtoi se "qeveria miratoi edhe dokumentin strategjik për riintegrimin e të kthyerve dhe jam i bindur që brënda korrikut përfundojnë 100 për qind e të gjitha detyrave".
Shefi i diplomacisë shqiptare vlerësoi se propozimi pozitiv i Komisionit Europian për liberalizimin e vizave vjen si rezultat i një bindjeje për të gjithë progresin që ka bërë Shqipëria.
"Edhe tre nënçështjet e përcaktuara do të përfundojnë dhe natyrisht që komisioni ka bërë propozimin pozitiv sepse është i bindur që këto janë plotësisht të realizueshme brënda periudhës kur pritet të bëhet edhe një verifikim tjetër", tha z. Meta.
Meta u ndal edhe në çështjen e kuftës kundër korrupsionit, duke deklaruar se "strategjia e miratuar për luftën kundër krimit të organizuar dhe plani i veprimit është shumë i rëndësishëm, ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm ligji për antimafian për sekuestrimin e pasurive të grupeve kriminale".
"Kjo është një sfidë e fituar, por nuk është një sifdë që përfundon këtu, këtu fitohen të gjitha kushtet për të marrë liberalizmin e vizave, ndërkohë që problemet e drejtësisë dhe korrupsionit do të na shoqërojnë në të gjithë procesin deri sa të bëhemi anëtarë me të drejta të plota në BE", përfundoi zv/kryeministri Meta.
/s.s./