Bruksel, 11 Qershor, NOA - Situata në Kosovë është e qëndrueshme, pavarësisht disa incidenteve të rastit.
Ky ka qenë vlerësimi që ministrat e Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, kanë bërë në një deklaratë të përbashkët pas një takimi dy-ditësh të organizuar mes tyre.
Në të thuhet se situata në Ballkan, e sidomos ajo në Kosovë, është diskutuar edhe me partnerët e NATO-s, që janë në misionin e KFOR-it.
“Pavarësisht disa incidenteve të kohëpaskohshme të sigurisë, situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë mbetet në përgjithësi stabile”, - thuhet në deklaratë.
Duke shtuar se përgjigjia ndaj trazirave të fundit në Mitrovicë, demonstron edhe nevojën për vazhdimin e vigjilencës, por edhe të rritjes së kapaciteteve të Policisë së Kosovës, thuhet në këtë deklaratë.
Po ashtu, ministrat e Mbrojtjes, me këtë deklaratë, kanë mirëpritur edhe kalimin e suksesshëm të përgjegjësisë për të mbrojtur disa objekte fetare nga ana e Policisë së Kosovës, të cilat deri më tani i ka pasur në ruajtje KFOR-i. n.e/NOA