Qeveria Përshendet Qëndrimin E Shba Për Legjitimitetin E Zgjedhjeve Të 28 Qershorit Dhe Institucioneve
TIRANE, 11 Qershor/ATSH, M.Marini/.- Zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu përshëndeti sot në një komunikim me median, deklaratën e Zëvëndës Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Stainberg, i cili rikonfirmon qëndrimin e SHBA-ve për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit dhe institucioneve legjitime shqiptare dhe vlerëson përpjekjet e Kryetarëve të Grupeve Parlamentare në Parlamentin Evropian, Joseph Daul dhe Martin Schultz për zgjidhjen e problemit të qëndrimit të opozitës shqiptare ndaj Parlamentit dhe zgjedhjeve të 28 qershorit.
"Qeveria shqiptare siguron Qeverinë e Shteteve të Bashkuara se në përputhje me shtetin ligjor dhe në respekt ndaj Kushtetutës dhe institucioneve demokratike të vendit, në Shqipëri mund të bëhet transparenca e çdo dokumenti", tha zëdhënësja e Qeverisë, Majlinda Bregu, njëkohësisht edhe ministre e Integrimit.
Ajo rikonfirmoi publikisht edhe një herë se "maxhoranca legjitime, e dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, i ka ofruar opozitës për zgjidhjen e qëndrimit të saj ndaj parlamentit jo vetëm pjesëmarrje në Komisionin Hetimor Parlamentar, por edhe shumicen me votë në këtë komision, si dhe kryesimin e tij, për të mundësuar hetimin e çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, perveç çështjeve për të cilat ka vendim gjykate, të cilat opozita ka mundësinë t'i ndjekë dhe t'í zgjidhë në rrugë gjyqësore".
Bregu tha se "Qeveria është e hapur që opozitës t'i krijohen të gjitha kushtet që të paraqesë në Prokurori për hetim të mëtejshëm e të plotë çdo akt apo dokument që ajo disponon mbi pretendimet e saj".
Po ashtu zëdhënësja e Qeverisë rikonfirmoi se i "kemi njohur opozitës të drejtën ekskluzive për të përkthyer në amendamente të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet e ardhshme, pasi opozita të jetë konsultuar edhe me Komisionin e Venecias". Ajo garantoi se keto amendamente, të hartuara nga opozita, do të votohen plotësisht në parlament.
Duke përshëndetur edhe një herë deklaraten e Zëvendës Sekretarit Amerikan të Shtetit, z.James Stainberg, "qeveria i bën thirrje opozitës të mos hedhë poshtë këto oferta dhe të dëshmojë se është një opozitë e përgjegjëshme për të kontribuar në zgjidhjen e çështjeve në interes të vendit", tha znj. Bregu./s.s./