Reportazh/ Kukes:Ne Zapod, 3 Javë Nga Zhdukja E Bleonës
KUKES, 11 qershor/ATSH-R.Hoxha/ - Sot pasdite bëhen plot 21 ditë kur 6-vjeçarja Bleona Mata në mënyrën më misterioze u zhduk nga vështrimi i hallës Alketa dhe bashkëmoshatareve të saj, ndërsa kishte shkuar për herë të parë në kullotë, disa qindra metra mbi fshat.
Që prej asaj dite, fshati Zapod, vendlindja e Bleonës është kthyer në vend peligrinazh jo vetëm për forcat e policisë, por edhe për drejtues të pushtetit vendor. Kërkimet e pafundme nga Policia nuk kanë dhënë asnjë rezultat, ndërsa në proçes janë përfshirë dhe specialistët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
"Sikur edhe ufot t'a kishin rrëmbyer, do të linin të paktën një lloj gjurme", thotë drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Sadri Ramçaj.
"Sot kemi dërguar në vendngjarje (Zapod) dy inspektorë nuk kemi asgjë të re, asnjë gjurmë, apo diçka tjetër të na afrojë me çfarë ndodhi mbasditen e 22 majit", thotë nëndrejtori i policisë, Xhaferr Elezi.
"Po shkojmë, por çfarë do bëjmë, pyjet i kemi kontrolluar pëllëmbë për pëllëmbë e s'kemi gjetur gjë," thotë Hyseni, njëri prej policëve.
Ndërsa makina ecën duke na lëkundur në rrugën e ngushtë e tërë gropa që na çon në fshatin e largët të Zapodit.
Gjatë 3 javëve janë kryer kërkime nga banorët e fshatrave përreth, forcat e policisë lokale dhe ato speciale. E gjithë zona në një perimetër të gjerë, këtej e andej kufirit është krehur në mënyrë të përsëritur, por ende nuk duket asnjë gjurmë, sado e vogël.
Banorët e fshatit janë të trembur.
"Nuk i lëmë më fëmijët vetëm në kullotë. Kjo ngjarje nuk do të harrohet për shumë kohë, bile edhe nga shkolla kur kthehen, fëmijët ecin bashkë e disi të frikësuar", tregon drejtori i shkollës, Ajdin Mata.
Pronari i klubit në Zapod, Azgan Mata është mësuar gjatë këtyre ditëve edhe me njerëz të panjohur. Ndërsa u shërben në heshtje klientëve, nuk ka dëshirë të flasë për fatkeqësinë që ka pllakosur fshatin.
"Një ngjarje e tillë nuk mbahet mend jo në Zapod, por në gjithë zonën e Gorës", thotë Azgani.
"Nuk ka mundësi të humbasë kështu fëmija, të paktën do të kishte një gjurmë", thotë Selmani, 67 vjeç që punon si bari, por tani shoqëron vetë fëmijët në kullotë.
"Kam frikë t'i lë vetëm", thotë Selmani.
Nuk ka bërë punë as shpërblimi nga Policia prej 3 milionë lekësh. Telefonata ka patur, por pa rezultat, kanë qenë thjesht për të përfituar shpërblimin dhe kjo ka bërë që edhe një person të ndalohet. Por ndalimi i tij gjithsesi nuk ka sjellë rezultat. Ndërsa janë pyetur e ripyetur nga ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda mbi 20 persona, mes të cilëve halla Alketa e 4 shoqet e vajzës.
Alketa ka qenë e fundit që ka kontaktuar me 6 vjeçaren. "Është pyetur e ripyetur disa herë, ndërsa prononcimi i saj ka thuajse krejtësisht i njëjtë", pohojnë burimet e policisë.
"E kam ulur mbi një xhaketë që e kisha me vete. I dhashë bukë duke i thënë: "rri këtu sa të mbledh delet e kthehemi në shtëpi." Kur u ktheva, nuk gjeta gjë veç xhaketës. Pyeta në shtëpi se mos kishte ikur vetë. Kur më thanë se nuk ishte kthyer, kemi dhënë alarmin", tregon Alketa.
Dyshimet nuk kanë të reshtur. I ati i Bleonës, Zamiri, tashmë ka një brengë se e motra mund të ketë sado pak dijeni. "Ajo ka qenë e fundit, diçka duhet të dijë", thotë Zamiri.
Ndërsa Zeneli, gjyshi i 6-vjeçares Bleona më shumë tund kokën, se flet. Se i janë mbaruar fjalët. Dyshimin e djalit sikur nuk e pranon, por edhe nuk e mohon.
"Halli të çon të thuash edhe fjalë që ndoshta çudisin çdokënd. Unë gjithë jetën jam marrë me fëmijë, ndaj, jo halla, por as edhe ndonjë banor i fshatit nuk do t'a zhdukte kësisoj mbesën time", thotë Zeneli.
Bukuria, nëna e Bleonës, me sytë e bulëzuar, është më e përmbajtur.
"Nuk di kujt t'ia vë gishtin. Unë dua vajzën, pa do falja këdo që e ka mbajtur këto 21 ditë", thotë me lotë ajo.
Detaje nga hetimet janë të pakta, edhe pse prokurorët kanë nisur të ngrenë pistat kryesore. Më kryesorja është ajo e rrëmbimit, por ende pa përcaktuar motivin.
Gjyshi i 6-vjeçares thotë se "grindje s'kemi patur me njeri, as këtej, as andej kufirit", duke iu referuar afërsisë së fshatit me Kosovën.
Kujtdo i bën përshtypje se vajza për herë të parë dërgohej në kullotë me bagëtinë, bile duke këmbëngulur vetë të shkonte me hallën.
Këto ditë në shtëpinë dy-katëshe të Zenelit në Zapod vizitorët janë të vazhdueshëm. Pyesin për ndonjë gjë të re, tundin kokën dhe ikin, për t'u rikthyer sërish pas disa orëve. I gjithë fshati jeton me këtë problem.
"Aq sa edhe mësimi këto ditë ka qenë më shumë se formal", thotë drejtori i shkollës Ajdini.
Zapodi, ndoshta fshati më i varfër i Shqipërisë, këto ditë është në qendër të vemendjes së shtetit e komunitetit. Humbja pa nam e nishan e 6 vjeçares i ka tronditur të gjithë./ch//n.m/