English

Sejdiu: Kosova Shtet I Lire Dhe Sovran, Atdhe I Te Gjithe Qytetareve Te Saj

J PRISHTINË, 11 Qershor /ATSH-B.Jashari/.- Kosova, shtet i lirë dhe sovran, është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, tha sot Presidenti Fatmir Sejdiu në një manifestim solemn kushtuar 12 Qershorit - Ditës së Lirisë, në 11 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s. "Kosova, shtet i lirë dhe sovran, atdhe i dashur i të gjithë qytetarëve të saj, anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, ka qenë, është dhe do të mbetet motoja e të gjitha angazhimeve tona politike e shtetërore". "Kjo datë e rëndësishme e historisë sonë simbolizon fundin e shtypjes së popullit të Kosovës nga një regjim brutal dhe agun e shpresës për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë të dashur", tha Presidenti Sejdiu në pritjen e organizuar për përfaqësuesit vendorë e ndërkombëtarë. "Edhe në këtë përvjetor, ne përulemi para kujtimit për të gjithë ata që u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Po kështu, ne ripërsëritim falënderimin tonë të përhershëm për të gjitha vendet që na ndihmuan në ditët më të vështira të historisë sonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, si dhe të gjitha vendet e tjera, të cilat duke ndërhyrë në Kosovë, jo vetëm që e shpëtuan popullin e Kosovës nga rreziku i zhbërjes fizike, por hapën një kapitull të ri në historinë e Aleancës Veriatlantike dhe të botës mbarë", tha Sejdiu. "Ndërhyrja në Kosovë shënoi fundin e një regjimi kriminal dhe lindjen e një epoke të re për gjithë këtë pjesë të Evropës Juglindore, tradicionalisht të trazuar nga konfliktet dhe apetitet hegjemoniste", tha Sejdiu. Duke iu drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë, Sejdiu më tej tha se "të bindur se do të kemi edhe më tej përkrahjen e vendeve tuaja, ne besojmë fuqishëm se Kosova do t'i plotësojë të gjitha standardet që kërkohen për aderim në këto institucione, por edhe në institucionet e tjera të rëndësishme ndërkombëtare, duke përfshirë edhe vetë OKB-në". /a.ke/
KOMENTE