English

SHBA i dhuron policisë pajisje për sistemin TIMS me vlerë 2 mln USD

Tiranë, 11 Qershor, NOA Update – Qeveria amerikane, nëpërmjet Programit ICITAP, i ka dhuruar Policisë së Shtetit pajisje të cilat janë vendosur aktualisht në funksion të sistemit TIMS, me një vlerë prej mbi 2 milion dollarë.

Pikërisht, në mjediset e drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, sot u zhvillua ceremonia e dhurimit të këtyre pajisjeve, të cilat sigurojnë që sistemi i tyre të realizojë përpunimin e të gjitha të dhënave të shërbimit kufitar, duke filluar nga lidhja online me 12 drejtoritë e Policisë në qarqe, si edhe monitorimi 24 / 24 të pikave kufitare me kamera nga Policia e Shtetit.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin zv/Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Deborah A. Jones; ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha; drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj; përfaqësues të programit ICITAP e misionit PAMECA; drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjyrmishka si dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Shtetit.

Gjatë fjalës së saj përshëndetëse në këtë ceremoni, zv/ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Deborah A. Jones, shprehu vlerësimet e saj për rritjen e efiçencës së shërbimeve policore dhe uljen e kostos së shërbimeve për qytetarët nëpërmjet përdorimit të pajisjeve të dhuruara të sistemit TIMS.

“Automatizimi i këtij sistemi nëpërmjet këtyre pajisjeve ka bërë të mundur që kontrolli kufitar të përpunojë mbi 24 milion hyrje-dalje gjatë tre viteve të fundit, duke zvogëluar shkallën e pritjes për qytetarët dhe vizitorët në Shqipëri. Në të njëjtën kohë më shumë së 400 persona janë identifikuar si të kërkuar nga policia. Sistemi përmban të dhëna për 3000 persona në kërkim dhe ka asistuar në kapjen e 500 prej tyre dhe konfiskimin e mbi 600 dokumenteve të falsifikuara gjatë vitit 2008-2009”, ka evidentuar znj. Jones.

Sipas saj, “Policia e Shtetit Shqiptar i ka demonstruar në mënyrë të qartë kapacitetet e saj për të çuar përpara infrastrukturën e Policisë Kufitare dhe Migracionit nëpërmjet sistemit TIMS”.

n.e/NOA

KOMENTE