Shqipëria Drejt Liberalizimit Të Tregut Të Energjisë
TIRANE, 11 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/ .- Dy linjat e reja të interkonjeksionit, Elbasan-Tiranë-Podgoricë dhe ajo Shqipëri-Kosovë, pritet të jenë dy shtyllat, të cilat jo vetëm që do të përmirësojnë furnizimin me energji të popullatës, por edhe do të liberalizojnë tregun e energjisë për gjithë Ballkanin.
Drejtori i Operatorit të Sisitemit të Transmetimit, Ymer Balla, u shpreh për ATSH-në se ndërtimi i linjave të interkonjeksioneve Elbasan-Tiranë-Podgoricë dhe Shqipëri-Kosovë, zgjidh problemet e import-eksportit, por dhe ndihmon në liberalizimin e tregut të energjisë jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Ballkanin.
Linjat e interkonjeksionit gjithashtu pritet të përmirësojnë së tepërmi sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjetik shqiptar. Nga ana tjetër, ndërsa do të rrisin aftësitë aktuale import-eksport, do të ndikojnë në heqjen e kufizimeve në sasitë e importit për shkak të mbingarkimit të linjave ekzistuese të interkonjeksionit, bashkë me rritjen e shkëmbimeve të energjise elektrike me vendet e rajonit e më gjërë.
Punimet në linjën e interkonjeksionit 400 kV Elbasan-Tiranë-Podgoricë, rreth 150 km e gjatë, 120 prej të cilave në territorin shqiptar dhe 28 km në territorin malazez, përfundojnë në shtator, por puna do të nisë në fund të muajit nëntor të këtij viti, pas kohës së provës.
Financimet për linjën Elbasan-Tiranë janë kryer nga Kooperacioni italian, ndërsa për pjesën Tiranë-Podgoricë nga Banka Gjermane KfW.
Me mbylljen e unazës 400 kV nga Greqia drejt Malit të Zi e më tej dhe lidhjen me rrjetin e transmetimit të rajonit evropian, Shqipëria pritet të bëhet një pikë tranziti shumë e fuqishme dhe e rëndësishme rajonale, që do të mundësoje gjithashtu ekportimin e energjise elektrike të burimeve të reja energjitike në ndërtim e sipër.
Ndërkaq, qeveria ka siguruar financimet për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kV me Kosovën, e cila shikohet veçanërisht si strategjike, për shkak se do të lejojë bashkimin faktik të dy sistemeve energjetike. Financimet për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Kosovë do të kryhen nga Banka gjermane KfW.
Kurse shkëmbimi i energjisë në periudha të ndryshme të vitit, apo orare të ndryshme ditore, do të rrisë eficencën e përdorimit të burimeve në të dy vendet, me përfitime të konsiderueshme financiare.
Aktualisht OST është në fazën e përgatitjes së dokumentave të tenderit ndërkombëtar dhe në korrik parashikohet të hapet gara. Punimet për këtë linjë që parashikohet të zgjasin dy vjet, do të nisin në fillim të vitit 2011.
Linja e tensionit të lartë 400 kV do të ketë një gjatësi rreth 238 km, prej së cilës 85.5 km në territorin e Kosovës dhe 153.5 km në territorin e Republikës së Shqipërisë. Vlera e përgjithshme e projektit është mbi 70 milion euro.
Ndërtimi i linjës së tensionit të lartë 400kV Kosovë-Shqipëri do të ndikojë në optimizimin e dy sistemeve, ngritjen e kapaciteteve transmetuese dhe rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së sistemeve elektroenergjetike të Kosovës dhe Shqipërisë. Edhe kjo linjë energjetike pritet të zhvillojë tregun ndërkufitar mes dy vendeve si dhe tregun rajonal të energjisë elektrike./s.s./