Tiranë, 11 qershor, NOA - Rreth 40 mijë fëmijë në të gjithë vendin detyrohen të punojnë edhe pse nuk kanë mbushur moshën sipas kodit të punës. Sipas Kryetarit të Sindikatave të Arsimit, Xhaferr Dobrusha, shumica e tyre i përkasin komunitetit rom, por në qytete si Tirana e Durrësi, fëmijët që punojnë i përkasin familjeve të ardhura nga zonat verilindore.
Dobrusha thotë se rreth 6500 fëmijë konsiderohen braktisës të shkollës, kryesisht nga mosha 10 deri në 14 vjeç. Sipas tij, zonat më të prekura nga fenomeni i punës së fëmijëve janë periferia e Tiranës, kryesisht Bathorja e Kamza e më pas renditen Durrësi, Fieri, Elbasani e Shkodra.
“Numri më i madh i fëmijëve i përket komunitetit rom, por ka dhe fëmijë nga familje të ardhura nga zonat verilindore të cilët për arsye ekonomike detyrohen të punojnë”, tha Dobrusha.
Sipas Kryetarit të Sindikatave të Arsimit, Xhaferr Dobrusha, ministria e Arsimit dhe e Punës po diskutojnë për disa ndryshime ligjore në arsimin bazë, i cili do të cilësojë si moshën e përfundimit të shkollës atë 15 vjeç dhe jo 14.
Ky ndryshim do të përkojë dhe me ndryshimet në kodin e punës sipas të cilit, mosha e fillimit të punës do të jetë 15 vjeç dhe jo 16 siç është aktualisht.
Por këto ndryshime ligjore pritet të përfundojnë pas tre muajsh për tu paraqitur më pas në qeveri e për tu diskutuar pas miratimit, në komisionet kuvendore.
Sipas ministrisë së Punës, për eliminimin e formave më të këqija të punës së fëmijëve do të duhet një periudhë 6 vjeçare, por shumë më tepër për eliminimin e punësimit të fëmijëve.
Një nga shkaqet që detyrojnë prindërit për punësimin e fëmijëve janë ato ekonomike. Ndonëse në bazë të ligjit për arsimin e detyruar ekzistojnë penalitete për familjet që detyrojnë fëmijët të braktisin shkollën, vetëm 10 gjoba janë vënë vitin e fundit.
Sindikatat thonë se për të thithur fëmijët në shkolla duhen menduar forma të tjera lehtësuese siç janë lëndë të veçanta që tërheqin fëmijët, kryesisht ato rom, siç janë arti e muzika.
b.a/NOA