Sllovaki - Zgjedhjet Legjislative: Kryeministri Fico I Dobësuar Nga Një Skandal
BRATISLAVË, 11 qershor /ATSH-AFP/ - Disa orë përpara zgjedhjeve legjislative sllovake të së shtunës, kryeminstri Robert Fico është i dobësuar nga dyshime lidhur me financim të paligjshëm për partinë e tij të majtë Smer-SD.
Gazeta me tirazh të madh "Sme" publikoi dje përmbajtjen e një kasete me një zë që dukej si ai i kryeministrit Fico, i cili mburrej se kishte mbledhur nga sponsorë të panjohur rreth tre milionë euro, "duke përdorur trurin e tij".
Sipas shtypit, ky është skandali më i madh politik që ka ndodhurnë Sllovaki që prej pavarësisë së saj në vitin 1993.
Fico reagoi menjëherë duke filluar një hetim kundër kryeredaktorit të gazetës "Sme" dhe duke u shprehur në të njëjtën kohë se regjistrimi ishte i falsifikuar.
Megjithatë, sipas disa specialistëve, hetimi për përcaktimin e të vërtetës rrezikon të zgjasë disa muaj.
Opozita e shfrytëzoi menjëherë rastin për ta akuzuar Ficon dhe kabinetin e tij se ka harxhuar fondin e tij të emergjencës, që përpara se të përfundonte mandatin e tij katër vjeçar.
Në të njëjtën kohë, një sondazh përmendi një rënie të parashikimeve për votë në favor të partisë Smer-SD nën shifrën 30 për qind.
Koalicioni i deritanishëm Smer-SD, i formuar nga populistë të Lëvizjes për një Sllovaki Demokratike (LS-HZDS) e ish-kreministrit Vladimir Meciar dhe nga Partia Nacionaliste Sllovake, SNS, e nacionalistit ksenofob Jan Slota, në pushtet që prej vitit 2006, nuk është i sigurt në marrjen e shumicës së votave në parlamentin njëdhomësh me 150 vende.
/I.Pu.