English

Sport-Botëror/ "Afrika E Jugut 2010", Kampionati I Miliardave

TIRANË, 11 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Në kohë krize vetëm topi i rrumbullakët arrin të dalë nga situata. Vitet e fundit ekonomia botërore ka pësuar një rënie të dukshme, por FIFA është shndërruar në fabrikë parash. 3.5 miliardë dollarë është shifra që Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka fituar nga sponsorat, komercializmi dhe shitja e të drejtave televizive të këtij Botërori, gati dyfishi i shumës së "Gjermani 2006". Kur shumë vende janë në limitet e buxheteve të tyre, Josep Blater, drejtuesi i FIFA-s për 12 vjet ka vendosur të shpenzojë një shumë marramendëse për skuadrat pjesëmarrëse. 240 milion USD do t'u shpërndahet 32 përfaqësueseve, ndërkohë që supershpërblimi prej 30 milion USD do t'i shkojë vetëm skuadrës fituese. FIFA ka shpenzuar 160 milion USD për produksionin televiziv pasi parashikon që ky eveniment të shihet nga 26 miliardë spektatorë në të gjithë botën. Për herë të parë, transmetimet e ndeshjeve do të xhirohen me teknologjinë 3D dhe gjithashtu për herë të parë sfidat do të transmetohen edhe nga miliona telefona celularë. Përsa i përket biletave, rreth 3 milionë janë prodhuar për të gjitha ndeshjet, por FIFA ka arritur të shesë 2.5 mln. Nga këto 925 mijë bileta janë blerë nga vendasit afrikanojugorë, 119 mijë nga amerikanët, 67 654 nga anglezët, 32.269 nga gjermanët, rreth 30 mijë nga australianët, 16 mijë nga kanadezët edhe pse kombëtarja e tyre nuk është mes finalistëve dhe vetëm 3 mijë bileta kanë blerë italianët. Por a do të përfitojë Afrika e Jugut nga ky eveniment ndërkombëtar? Sigurisht që po. Kjo është një mundësi që vjen vetëm një herë dhe afrikanët e kanë shfrytëzuar në maksimum. 4.6 miliardë euro janë shpenzuar nga qeveria vendase për këtë festë të madhe sportive, por paratë që do të hyjnë në vend priten të jenë gati dy herë më shumë. Turistët që llogariten në rreth 450 mijë vetë pritet të sjellin 1.8 miliardë euro./s.s./
KOMENTE