Sport-Botëror/ Çelet Në Mënyrë Madhështore Kupa E Botës "Afrika E Jugut 2010"
TIRANË, 11 Qershor /ATSH- Gjergji Mima/ - Ka startuar në mënyrë spektakolare kampionati botëror Afrikë e Jugut 2010 i 19-ti në histori, me një ceremoni madhështore në stadiumin kryesorë Elis Park të Johanesburgut.
Ka zbritur për herë të parë në kontinentin afrikan ditën e sotme kupa e botës, një risi për këtë eveniment. Vdekja e stërmbesës së Mandelës nuk mund të ndalonte shoun për evenimentin më të madh futbollistik në botë, ndërsa mijëra njerëz kanë qëndruar gjithë ditën jashtë stadiumit në pritje të festës. Me video u shfaq edhe një regjistrim i Nelson Mandelës, i cili ndryshe nga parashikimet nuk ishte në ceremoni, për shkak të vdekjes së stërmbesës së tij në një aksident rrugor një natë më parë
Kanë qenë të shumta egzibicionet e organizatorëve të kësaj ceremonie duke filluar nga kërcimet tradicionale afrikane deri në formimin e hartës së kontinentit apo formave gjigande të objekeve tradicionale, duke përfshirë një kupe vere që përfaqëson shenjën e mikpritjes së këtij vendi për të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, pasi ashtu si kanë deklaruar edhe drejtuesit e FIFA-s tashmë bota ka ndalur, e të gjithë sytë i kanë në muajin e aktivitetit më të madh të futbollit.
1500 artistë performuan në fushën e impiantit "Soçer City", ndërsa në tribunë ishin 20 kryetarë shtetesh. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun e ndoqi ceremoninë në krah të presidentit të Afrikës së Jugut Jakob Zuma dhe atij të FIFA-s Sep Blater. Mes të ftuarve ishte presidenti i Meksikës Felipe Kalderon, zëvendës presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xho Bajden me bashkëshorten e tij Xhill, por edhe krerët e shteteve afrikave si Zimbabve apo Kenia.
Ceremonia e hapjes ishte një spektakël me ngjyra kryesisht afrikane, teksa këngëtarë si Shakira, Khaled apo Femi Kuti kanë ngritur peshë 60 mijë të pranishmit në stadium. Ceremonia e hapjes zgjati gati 40 minuta, për t'ia lënë më pas vendin ndeshjes së parë të Botërorit, Afrikë e Jugut-Meksikë.