Starton Edicioni I Tretë I "Albanian Fashion Kids"
TIRANË, 11 Qershor/ ATSH- Suada Daci/.- Qëndra kulturore e Modës "Moda në Fokus", prezantoi sot në mbrëmje natën e parë të spektaklit për fëmijë "Albanian Fashion Kids" (Moda shqiptare e Fëmijëve), të titulluar Hapa në Pasarelë, në mjediset e Hotel "Sheraton " në Tiranë.
"Ky event për fëmijë prezantohet për herë të tretë, u shpreh në një prononcim për ATSH-në, koordinatorja e Qëndrës Kulturore "Moda në fokus", Manjola Zeka.
Ajo tha se, "ky show për herë të parë është zhvilluar në Shkodër me fëmijët jetime. Sot marrin pjesë rreth 40 fëmijë nga 2 deri në 10 vjeç, të cilët do të sjellën jo vetëm modën e veshjeve për fëmijë, por edhe modën e adoleshentëve".
Ndërsa Presidentja e kësaj qëndre, Mimi Memiaj, e cila ka bërë të mundur realizimin e këtij show për herë të tretë, u shpreh se "është shumë kënaqësi të punosh me fëmijët".
"Unë jam e lumtur që organizova këtë event, i cili nuk ka asnjë ndryshim nga sfilatat e të rriturve, pasi impenjimi dhe organizimi ka qënë në maksimum", tha ajo.
Spektakli "Hapa në Pasarelë' u çel sot nga këngëtari i njohur i skenës shqiptare, Luan Zhegu, me këngë kushtuar fëmijëve. Më pas vogëlushët pushtuan pasarelën duke prezantuar veshjet e duke dhuruar emocione për të pranishmit në sallë.
Sot në natën e parë të këtij eventi u prezantua një koleksion shumë i veçantë dhe i dëshiruar nga të gjithë, ai i dasmave, sjellë nga "Frederika Arti martesor".
Spektakli i mbrëmjes së sotme kishte shumë surpriza, pasi fëmijët jo vetëm sfiluan, por edhe kënduan dhe kërcyen në skenë. Ky spektakël do të vijojë edhe nesër me koleksione te firmave te ndryshme për fëmijë. /a.ke/