Tiranë, 11 qershor, NOA, Update – Policia e kryeqytetit ka nisur ditët e fundit një superaksion për kontrollin e dokumentacionit të makinave luksoze. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit është bërë bllokimi i nëntë automjeteve të cilat kanë rezultuar të vjedhura në vendet rajonit dhe të Bashkimit Euripian.
“Operacionit “BMW” ka sekuestruar 9 automjete të markave të prodhimit të viteve të fundit, të cilat pas verifikimeve të kryera me Interpol Tiranën kanë rezultuar të vjedhura jashtë kufijve të Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Automjeti i parë i bllokuar është një model “Mini Cooper”. Nga verifikimet e bëra ka rezultuar i vjedhur në Itali me datë 21 Prill 2009. Mjeti ju bllokua shtetasit Bledi Vasa, 38 vjeç.
Makina e dytë e bllokuar është një “Porsche Cayenne”, e cila ka rezultuar e vjedhur në Serbi më datë 04 gusht 2008. Makina ju bllokua dje shtetasit Admir Prekaj, 29 vjeç, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu”.
Një mjet tjetër i kushtueshëm që është bllokuar është një fuoristradë “BMW X6” ngjyrë e bardhe. Kjo makinë sipas policisë është vjedhur në Itali më datë 02.09.2009.
Po ashtu është bllokuar dhe një makinë, “Smart”, mjet i cili nga verifikimet e kryera ka rezultuar i vjedhur në Itali, në vitin 2008.
Makinë tjetër e bllokuar është dhe një “Toyota”, e cila është vjedhur në Serbi.
Po ashtu policia ka bllokuar dhe një “Mercedes Benz”, i vjedhur në Itali në vitin 2004, një “Porsche Cayenne” e vjedhur në Serbi në vitin 2007, një “BMË” e vjedhur në Itali dhe një “BMW Grand Tourismo”, e vjedhur në Gjermani.
m.xh/NOA