Nikozi, 11 Qershor, NOA – “Axhenda e parlamentit shqiptar është axhenda e integrimit europian”. Kështu u shpreh kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në konferencën e nivelit të lartë të kryetarëve të parlamenteve të Këshillit të Evropës, e cila po zhvillohet në Qipro.
“Shqipëria, në 20 vitet e fundit ka bërë transformime të jashtëzakonshme. Ajo është anëtare e NATO-s; ajo ka bërë kërkesë për statusin e vendit kandidat në BE dhe pak ditë më parë ne kemi dorëzuar përgjigjet e pyetësorit të sjella nga Komisioni Europian. Më 27 Maj, komisionerja Malmstrom mori vendimin për t’i propozuar Këshillit dhe PE-së heqjen e vizave për shqiptarët. Dhe kjo u ratifikua me 2 qershor në Ministerialin e Sarajevës”, parashtroi situatën aktuale në Shqipëri para të ftuarve, kryeparlamentarja Topalli.
Sipas saj, për të gjitha këto është bërë punë e madhe dhe se parlamenti, komisionet parlamentare kanë punuar e votuar një numër të madh ligjesh të reformave të thella. “Axhenda e Parlamentit është axhenda e integrimit europian. Kjo do të thotë reforma në çdo fushë; kjo kërkon guxim por edhe vendosmëri, sepse reformat nuk janë garë pa pengesa. Në këto sfida, parlamenti është kthyer në institucion lider”, bëri me dijeni ajo.
Duke shtuar më tej se Kuvendi pranoi çdo propozim të opozitës për sistemin elektoral dhe bëri gjithçka për t’i dhënë siguri të plotë opozitës.
“Këto zgjedhje rezultuan unike në historinë e vendit tim. Por, opozita megjithëse tha se pranonte rezultatin, bojkotoi parlamentin”, tha ajo më tej.
Në fund, Topalli shtoi se “as zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, akti i partisë që votuesit e kanë çuar në opozitë është të pranojë dhe të nderojë verdiktin e popullit dhe jo të bojkotojë. Roli i opozitës është i shenjtë. Ky rol duhet të jetë objektiv, konstruktiv dhe për çështje kombëtare bashkues”.
n.e/NOA