English

Topalli Pjesëmarrëse Në Konferencën E Kryeparlamentarëve Të Kie

- Kryeparlamentarja do të mbajë një fjalim mbi rolin e opozitës në parlament - TIRANË, 11 Qershor/ATSH/.- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, është nisur të enjten për në Qipro, ku do të marrë pjesë në Konferencën Europiane të Kryetarëve të parlamenteve të Këshillit të Europës (KiE). Sipas një njoftimi për shtyp nga Kuvendi, konferenca e nivelit të lartë, që do të zhvillohet në datat 11-12 Qershor, organizohet nga PACE, nën kujdesin e Presidentit Cavusoglu dhe Kryetarit të parlamentit të Qipros, Garoyian. Konferenca zhvillohet në një periudhë kur në të gjithë Europën institucioni i parlamentit ka marrë një rol thelbësor në politikbërje, si element kyç i vendimmarrjes. Në këtë konferencë, nga më të rëndësishmet e këtij niveli, Kryetarja e Kuvendit do të mbajë një fjalim mbi rolin dhe përgjegjësinë që duhet të mbajë opozita në parlament. Kryetarja e Kuvendit është e ftuar nga Presidenti i PACE-s, mes Krerëve të parlamenteve të Austrisë, Gjermanisë, Anglisë, Francës, Italisë, Rusisë, Zvicrës, Hungarisë, Finlandës, Çekisë, Bullgarisë etj, si edhe krerëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Asamblesë së Mesdheut dhe Asamblesë së vendeve Balltike. Në vijim të lobimit përmes diplomacisë parlamentare, Kryetarja e Kuvendit do të zhvillojë edhe një sërë takimesh me homologët e saj europianë./a.s/s.s./
KOMENTE