Topi: Gjergj Zheji Do Mbetet Në Memorien E Kombit, Një Pikë E Fortë Referimi Për Brezat Që Vijnë
- Presidenti Topi bën homazhe në nder të përkthyesit dhe studjuesit të shquar të letrave shqipe, Gjergj Zheji -
TIRANË, 11 Qershor/ATSH-Maela Marini/.- Presidenti i Republikës, Bamir Topi bëri sot homazhe në nder të përkthyesit dhe studiuesit të shquar të letrave shqipe, Gjergj Zheji, të cilin e vlerësoi si "një pikë të fortë referimi për të gjithë brezat që do të vijnë".
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Teatrit të Operës dhe Baletit, Presidenti Topi nderoi me një kurorë me lule kujtimin e Gjergj Zhejit dhe i shprehu ngushëllimet më të ndjera familjarëve të studiuesit dhe intelektualit të shquar.
Kreu i Shtetit la gjithashtu nënshkrimin e tij në Librin e Përshtypjeve për këtë personalitet të letrave shqipe.
"Ndjehem i trishtuar, pasi është ndarë nga gjiri i familjes dhe shoqërisë një nga figurat më intelektuale të kombit, që do mbahet mend në memorien e kombit, jo vetëm si përkthyes me vlera të jashtëzakonshme, por edhe si hulumtues dhe studiues i rrënjëve të veprave më të çmuara të literaturës botërore", tha Presidenti Topi.
Presidenti vlerësoi se "Gjergj Zheji mbahet mend mbi të gjitha si një njeri shumë i thjeshtë me tipare të patjetërsueshme qytetare".
"Të gjitha tiparet më të rëndësishme që kanë të bëjnë me njeriun, Gjergj Zheji diti t'i transmetojë tek brezat e tjerë", tha Presidenti i Republikës.
Në ceremoninë e zhvilluar sot në ambientet e TOB-it, zhvilluan homazhe Kryeministri Sali Berisha, ministra, deputetë, studiues dhe personalitete të larta të letrave shqipe dhe qytetarë.
Shkrimtari, përkthyesi dhe studiuesi i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji ndërroi jetë dje në mesditë në moshën 84 vjeçare. Ai vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare.
Një personalitet i kulturës shqiptare që ka dhënë kontribut në disa fusha, Gjergj Zheji ka qenë i pari studiues që ka realizuar një mongrafi për jetën e Andon Zako Cajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike.
Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj. Gjergj Zheji ka dhënë kontribut të madh edhe në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë. /n.m/