English

Traditë/ Punimet Artizanale, Tradita Që Ruajne Grate E Shpatit

ELBASAN, 11 Qershor /ATSH-Miranda Sadiku/ - Nga thellësitë e shekujve mbërrijnë deri sot talenti popullor i punimeve artistike të tekstileve dhe artizanatit në zonën e Shpatit, ku gratë që mbajnë gjallë traditën e paraardhësve të tyre me veshjen popullore, plot larmi motivesh dhe ylberin e ngjyrave. Të punuar me finesë e shije të hollë artistike nga gratë, kjo veshje përbën një trashëgimi me vlera etnografike dhe kulturore. Por personazhi ynë është një "burrneshë", se kështu e thërrasin Prena Todin banorët e Zavalinës. Kunata e saj, Maria, thotë se "Prena gjithnjë ka qenë e zonja të bëjë punë shtëpie, të punojë arën, të bëjë zahiretë e dimrit, por dhe të punojë në tezgjah dhe shtiza". Vetë Prenës duket se nuk i bën përshtypje teksa e thërrasin "burrneshë". "Kam qenë derë trimash në shtëpinë e babait tim, mësova që e vogël të gatuaj dhe punoj me tezgjah, por më së shumti me shtiza" tregon Prena. Në panairin e Shpatit, në ditën olimpike "Miqtë e Malit" që u bë pak ditë më parë, Prena kishte nxjerrë punimet e saj artizanale, më shumë për t'i parë vizitorët, se sa për t'i shitur ato. Ajo thotë se punimet e saj pëlqehen shumë nga zona, qyteti, madje edhe jashtë Shqipërisë. "Para dy vjetësh erdhi në Zavalinë një amerikan, Xhoni ja thoshin emrin, ishte meso burrë, por burrëria këtu tek ne bie, pasi në dimër bën ftohtë dhe miqtë struken pranë zjarrit, Nisa t'i bëj një palë papuçe me tre ngjyra, të kuqe, të zezë, dhe me disa viza me ngjyrë të bardhë. Kur u zgjua Xhoni të nesërmen, edhe pse nuk e dinim gjuhën e njëri-tjetrit, vura re se ai mbeti i mahnitur dhe diç më tha anglisht", tregon Prena. Xhoni i bleu Prenës më shumë se 20 palë papuçe dhe çorape leshi, për t'ua bërë dhuratë miqve të tij në Amerikë. "Djali im shkon shpesh në qytet dhe i jap gjithnjë porosi të më blejë rruaza dhe fije të ndryshme shumëngjyrëshe. Me to, bëj shami koke, jastikë zbukurimi, kuverta, qëndis fustanet e nusërisë së vajzave, që i veshin ato ditën e shtunë në një banket që shtrohet vetëm për vajzat e fshatit," thotë Prena. Pa e kuptuar, tashmë është bërë e njohur nga vajzat e reja, që sapo blejnë copat, shkojnë tek Prena dhe presin radhë për të qëndisur fustanet e tyre të nusërisë dhe shamitë e kokës. "Ohu, sa kam martuar deri tani", thotë për vajzat, të cilave u ka qëndisur fustanet e nusërisë. "Nuk u marr shumë para, pasi jemi miq me prindërit e vajzave, por kënaqësinë më të madhe e kam kur ato i veshin dhe pëlqehen nga musafirët", thotë Prena. "Në kohën e diktaturës e lashë, punoja vetëm për fëmijët e mi netëve vonë, triko, papuçe, jelekë leshi, që të mos mërdhihnin, edhe këto i bëja natën me qiri, pasi kisha shumë punë gjatë ditës. Sot i lutem Zotit, të më japë fuqi që të martoj sa më shumë vajza dhe të kënaq të gjithë klientët e mi që vijnë jo vetëm nga Elbasani, por edhe nga qytete të ndryshme të vendit e të huaj", thotë Prena. Nuk do të heqë dorë nga kjo "punë argëtuese" deri sa të vdesë, premton ajo./ch/
KOMENTE