Ukt Padit 20 Persona Privatë Per Ndërhyrjet E Paligjshme Në Rrjet
TIRANE 11 Qershor/ATSH-A.Gjonaj/- Drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, Sahit Dollapi, dorëzoi sot në Prokurorinë e Tiranës 20 kallëzime penale kundër personave privatë, që kanë ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit.
Në këto 20 kallëzime penale, gjysma janë për lavazhet dhe subjekte te tjera private në Tiranë.
Dollapi u shpreh në një konferencë shtypi se Ujësjellësi i Tiranës po përgatit dokumentacionin edhe për 30 kundravajtës të tjerë.
Ai theksoi se është hera e parë që Ujësjellësi i Tiranës bashkëpunon me Prokurorinë për të çuar para drejtësisë të gjithë ata që abuzojnë me ligjin dhe dëmtojnë rrjetin e ujësjellësit.
Sipas tij, denoncimi i kundravajtësve që ndërhyjnë në rrjetin e Ujësjellësit në Tiranë ecën paralelisht me punën për pastrimin e linjave të transmetimit dhe shpërndarjes nga lidhjet e paligjshme.
"Po kryhen investime ne pjesën e Shkozës, në zonën e Uzinës së Traktorëve, një linjë transmetimi, e cila bën të mundur nxjerrjen jashtë funksioni të 3 linjave të shpërndarjes, që janë të amortizuara dhe të ngarkuara nga ndërhyrjet e paligjshme në rrjet", tha zoti Dollapi.
Ai siguroi se kjo punë do të vazhdojë me intensitet gjatë gjithë kohës, deri në sistemimin dhe në kthimin në normalitet të furnizimit me ujë të Tiranës.
Dollapi paralajmëroi banorët e këtyre zonave që të marrin masat e nevojshme për t'i siguruar vetes një marrëdhënie të ligjshme me Ujësjellësin, jo vetëm për të mos ndërhyrë më në rrjet, por edhe duke lidhur kontratat për furnizimin me ujë të pijshëm konform rregullave dhe ligjeve.
Kreu i UKT-së bëri të ditur se faturuesit, që faturojnë qytetarëve më shumë ujë se sa konsumi real, janë ndëshkuar me masa administrative, si largimin e tyre nga puna dhe rikthimin e vlerës së mbifaturuar për qytetarin e dëmtuar.
"Vetëm para 4 ditësh, gjatë një analize pune me faturuesit, janë pushuar nga puna 6 faturues, te cilët kishin vërejtje të përsëritura dhe ankesa nga qytetarët", deklaroi Dollapi../s.s./