English

Vlorë: 140 Objekte Pa Leje, Së Shpejti Aksioni Për Prishjen

VLORË, 11 qershor/ATS-H.Koçi/ - Pas evidentimit, 140 objekte të ndërtuara pa leje në zonën e Pyllit të Sodës, 5 km në perëndim të qytetit, janë përfshirë në planet e afërta për t'i prishur nga Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) për rajonin e Vlorës. Drejtori i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Sokol Qehajaj, tha sot për ATSH-në se këto objekte, kryesisht banesa, janë ndërtuar pas përfundimit të afatit të vetëdeklarimit të ndërtimeve pa leje në kuadrin e procesit të legalizimit. "Megjithëse janë paralajmëruar për shkeljet ligjore që kanë bërë dhe pamundësinë e përfshirjes së tyre në legalizim, pronarët e objekteve, kanë vazhduar t'i ndërtojnë ato", shtoi Qehajaj. Ai tha se shumë shpejt do të nisë një aksion për prishjen e këtyre ndërtimeve që kanë dëmtuar mjedisin pyjor në këtë pjesë të bregdetit të Vlorës. Pylli i Sodës, me një sipërfaqe prej rreth 750 hektarë, që cilësohet si "mushkria e qytetit" është dëmtuar pas viteve 1990-të, si pasojë e një sërë faktorësh, mes të cilëve, edhe ndërtimet pa leje. Ndërkohë, disa qindra objekte, kryesisht banesa, që janë ndërtuar gjatë kësaj periudhe janë përfshirë në procesin e legalizimit./ch/
KOMENTE