English

Vlorë: Mot I Kthjellët, Temperaturat Në Rritje

VLORË, 11 Qershor/ATSH-H.Koçi/.-Situata meteorologjike e mirë që ka përfshirë prej 5 ditësh gjirin detar të Vlorës, do të vazhdojë të jetë e tillë edhe gjatë ditës së sotme. Moti do të jetë i kthjellët dhe me zhvillime të pakta resh, ndërsa vlerat e temperaturave do të shënojnë rritje të mëtejshme. Kjo tablo sinoptike po favorizon kushtet e lundrimit dhe të gjuetisë, çka ka bërë që më shumë se 20 peshkarexha të jenë në aktivitet të përditshëm, duke dalë për gjueti në hapësirën detare brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës. Burime të Kapitenerisë së Portit bënë të ditur për ATSH-në se sot era do të ketë drejtimin në kuadratin Jug-Juglindje, me shpejtësi nga 2-4 m/sek, deri në 6-8 m/sek në afërsi të bregut të detit. Temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 30-32 gradë celcius dhe ato minimale në 19-21 gradë celcius. Valëzimi parashikohet të jetë 0-1 ballë brenda gjirit detar dhe 3-4 ballë në det të hapur. Trageti "Red Star" i linjës detare Brindisi-Vlorë do të lundrojë sot në itinerarin e kthimit drejt portit italian, në orët e mesditës. /s.s./
KOMENTE