Vlorë: Xhafa Dhe Devolli, Zyrtarisht Tek "Flamurtari"
VLORË, 11 qershor /ATSH-H.Koçi/- Daniel Xhafa dhe Bledar Devolli janë dy emrat që i janë bashkuar skuadrës së "Flamurtarit" për sezonin e ardhshëm futbollistik 2010-2011.
Xhafa dhe Devolli u prezantuan sot përpara skuadrës, në një ceremoni, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të bashkisë, mes të cilëve kryetari dhe njëkohësisht presidenti i klubit "Flamurtari", Shpëtim Gjika.
Në prezantimin e tij, Gjika u shpreh se, përfshirja e dy lojtarëve tek skuadra vlonjate, shënon fillimin e merkatos së verës për këtë ekip, ç'ka do të pasohet edhe nga 2-3 blerje të tjera në javën e ardhshme. Ai nënvizoi se, "Flamurtari" synon të krijojë profilin e një skuadre të konsoliduar në të gjitha repartet dhe kompetitive, për të qenë mes pretedentëve për sezonin e ardhshëm.
Sulmuesi Daniel Xhafa, rikthehet tek skuadra e qytetit të tij të lindjes, pas një periudhe aktivizimesh tek ekipe të tjera, ndërkohë që Devolli u aktivizua sezonin e kaluar tek Tirana.
Xhafa në prononcimin e tij u shpreh se, vjen me dëshirë tek Flamurtari, duke shpresuar se do të ndihmojë në rezultatet në rritje të skuadrës. Ndërsa, Devolli, theksoi se, "vjen tek një skuadër e madhe siç është Famurtari, që me siguri në sezonin e ardhshëm do të klasifikohet mes skuadrave më të mira të vendit, madje duke qenë edhe mes pretendetëve"./ch/