English

Zhvillohen Homazhe Ne Nder Te Personalitetit Te Kultures Shqiptare, Gjergj Zheji

TIRANE, 11 Qershor/ATSH/- Sot në mesditë, në mjediset e Teatrit të Operas dhe Baletit u zhvillua ceremonia e homazheve në nder të përkthyesit dhe studiuesit të shquar të letrave shqipe, Gjergj Zheji, i cili u nda dje nga jeta në moshën 84-vjeçare. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryeministri Sali Berisha, ministra, deputetë, studiues dhe personalitete të larta të letrave shqipe dhe qindra qytetarë, nderuan jetën dhe veprën e gjatë në shërbim të kombit të Gjergj Zhejit. Shkrimtar, përkthyes studiues i letërsisë dhe kulturës shqipe, Gjergj Zheji vlerësohet si një personalitet që ka vënë disa gurë themeli në ndërtesën e kulturës shqiptare. Si personalitet i kulturës shqiptare me kontribute të shquara në disa fusha, Gjergj Zheji mbetet i pari studiues që ka realizuar një mongrafi për jetën e Andon Zako Cajupit. Në punën e tij spikasin studimet për metrikën shqipe me një vlerë të padiskutueshme, studimet për folkorin, një varg shkrimesh kritike. Gjergj Zheji ka dhënë kontribut të madh edhe në hartimin e shumë librave të antologjisë së letërsisë bashkëkohore shqiptare e më gjerë Ndër veprat letrare të përkthyera nga Gjergj Zheji, dhe që mbahen mend mirë nga lexuesi shqiptar përmenden "Rinoceronti" nga Eugene Ionesco, "Përallat e Car Sulltanit" nga Aleksandër Pushkin, "Metafizika e dashurisë" nga Artur Shopenhauer, "Ekzistencializmi është humanizëm" i Zhan Pol Sartit, "Aventurat e Hekelber Flintit" i Mark Tuein, etj./n.m/
KOMENTE