Afganistan - Okb-Ja Do Të Shqyrtojë Heqjen E Talebanëve Nga Lista E Zezë
KABUL, 12 qershor /ATSH-AFP/ - Një komision i OKB-së do të vijë në Afganistan për të shqyrtuar mundësinë e heqjes së emrave të talebanëve nga lista e zezë e Kombeve të Bashkuara për organizata terroriste, njoftoi sot Staffan de Mistura, zyrtari i OKB-së në Kabul.
"Ky shqyrtim pritet të zhvillohet brenda muajit", deklaroi de Mistura në një konferencë shtypi në kryeqytetin afgan.
"Disa persona në listë ndoshta kanë vdekur tashmë. Lista mund të jetë plotësisht e vjetëruar", shtoi diplomati i OKB-së.
Presidenti afgan Hamid Karzai ka ndjekur një prej propozimeve të përfaqësuesve të fiseve dhe të shoqërisë civile të mbledhur në fillim të muajit në jirgën e paqes, asambleja tradicionale.
Jirga ka kërkuar heqjen e emrave të më tepër se 70 talebanëve nga lista e zezë ndërkombëtare (OKB, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara).
Karzai ka kërkuar të dielën e kaluar rishikimin e dosjeve të qindra të burgosurve të dyshuar për lidhje me rebelët, në një gjest të vullnetit të mirë ndaj talebanëve për t'i dhënë fund luftës.
/I.Pu.