English

"Arsyetime Politike" Nga Politologu Gëzim Tushi

TIRANË, 12 Qershor/ATSH/.- Edhe pse në botë kohët kanë ndryshuar, dhe në një farë mënyre koha moderne nuk është më kohë e "pasionit politik", në vendin tonë për shumë arsye realiteti politik është ndryshe, e niveli i pasionit për politikën realisht apo artificialisht është ende i lartë. Ky është konkluzioni që të lë të kuptosh libri më i ri "Arsyetime politike", i politologut Gëzim Tushi, autor i shumë librave, publiçist gati i përditshëm i shtypit periodik. "Arsyetime politike" është përpjekja e radhës e autorit të njohur për të sjellë kontribute të reja në politologji, duke bërë analiza të thella, të plota, të gjithanshme, observime e diagnoza të politikës shqiptare të ditës, të stratagjemave të politikanëve të saj. Kjo është një vepër e plotë që i jep mundësi lexuesit të krijojë një tablo më të gjërë dhe të ketë përfytyrime më të qarta për politikën shqiptare të ditëve tona. Problematika që trajtohet në këtë libër të Gëzim Tushit, janë "çështjet tona", e vërteta e politikës sonë. Vepra ka përmasa shumëdimensionale, sjell lëndë nga teoria politike moderne, prurje të zgjedhura me kujdes nga autorë, filozofë dhe politologë të shquar të ditëve tona, me të cilën pastaj bën ballafaqimin e politikës shqiptare. Shumë probleme të politikës janë nën optikën profesionale të trajtimeve të integruara socio-politike, politiko-filozofike apo socio-filozofike, duke e bërë veprën të gjërë nga faktet, të pasur nga idetë dhe me vlerë teorike për lexuesin e thjeshtë, studentët e politologjisë, gazetarët e medias, por edhe për politikanët profesionistë. Diagrama teorike e veprës "Arsyetime politike" kap të gjithë spektrin e shikimit të politikës si veprimtari intelektuale dhe empirike, si çështje e ditës, por dhe problem i perspektivës, si kënaqësi personale, por dhe si aktivitet me përgjegjësi. Në "skanerin" e analizave të Gëzim Tushit kalojnë deri në detaje defekte dhe mungesa të politikës sonë, mangësi serioze të formimit politik të politikanëve të karrierës, sidomos të atyre që politikën nuk e konsiderojnë si mision publik, por si profesion të ngushtë që të sjell vetëm përfitime personale. Libri merret gjërësisht jo vetëm me politikën, partitë, politikanët dhe demokracinë politike në Shqipëri, por dhe me problemet e kulturës politike dhe të opinionit qytetar, të rolit që ata kanë në "drejtpeshimin e demokracisë" tonë. Ai i kushton një pjesë të gjërë çështjes së elitave në politikë. Autori i librit ngul këmbë për domosdoshmërinë e pranisë së elitave në politikën shqiptare, duke iu referuar politologut spanjol Josep Ramoneda, se elitat janë të domosdoshme, sepse ato janë të ngarkuara për administrimin e shoqërisë përmes politikës. Natyrisht, Gëzim Tushi në një libër kaq voluminoz, nuk mund të mos trajtonte shfaqjen në shoqërinë shqiptare të disa dukurive të zhvillimit modern të politikës, të raporteve të njeriut me politikën si individ, si qytetar apo edhe si militant, pa të cilët politika nuk do të kish "as sens, as materje". Gëzim Tushi politikën e trajton jo vetëm si botë më vete, por dhe si fushë të integruar, në të cilën intereferojnë dhe me të cilën lidhen shumë fusha të tjera. Në përgjithësi mendimi i autorit, siç duket nga leximi i vëmendshëm i librit të tij, është se në kohën modern, ka vend të suksesshëm vetëm për "politika kooperuese", që janë të lidhura natyrshëm dhe që kanë impakte pozitive në të gjithë fushat e jetës./e.gj/s.s./
KOMENTE
  • Remzi Tushi nga zvicra19:17 - 09 Shkurt 2011
    I nderuar zotri Gzim Tushi paraqitem prej Zvicre.Jam tue ndjekur emisjonet në radio televizjonit shqiptar dhe kam dëshir që librat tua që i ke botua, kisha dëshirë ti kem edhe unë. Pajtohem me mendimet tua dhe kam shum Respekt si politollog në Shqipri kisha dëshir që me ju njoft për së afërmi. Unë ndodhem në zvicerdhe si mundem me i mar botimet tueja me nderime ju përcjell të fala të përzemërta Remzi Tushi nga Zürichu i zvicres.