English

Baraj: Cavusoglu, je i papjekur, nëse nuk informohesh!Mos ji i njëanshëm!

Tiranë, 12 Qershor, NOA – Ndaj kritikave të Presidentit të PACE, Mehmet Cavusoglu, kur ai e cilëson opozitën shqiptare si shkaktaren e thellimit të krizës politike në Shqipëri, dhe se kërkesat e socialistëve duhet të paraqiten në Komisionin e Venecias, reagoi sot dhe deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj.

“Shprehim keqardhjen që zoti Caushoglu, nuk është i informuar sa duhet apo më saktë është i informuar në mënyrë të njëanshme nga zonja Jozefinë, por duke e vlerësuar megjithatë interesimin për Shqipërinë e informojmë se opozita ka bërë e po bën gjithçka ka në dorë për zgjidhjen e krizës”, deklaroi deputeti Baraj.

Duke perifrazuar kritikën e Cavusoglu mbi opozitën, ku presidenti i PACE e quajti grevën e urisë si veprim të papjekur të PS-së, Baraj shtoi se “fjala i papjekur në këtë rast do t’i shkonte qëndrimit të zotërisë ndaj opozitës shqiptare, jo qëndrimit të opozitës ndaj krizës që as e e kemi shkaktuar ne e as po e thellojmë ne që kemi gadishmërinë për kompromis.”

Baraj në emër të Partisë Socialiste konfirmoi edhe njëherë gatishmërinë e socialistëve për ta informuar përfaqësuesin e Komisionit Europian, Cavusoglu, mbi ecurinë e vërtetë të krizës në Shqipëri, në mënyrë që qëndrimi i këtij të fundit të mos jetë i njëanshëm, por mbi të gjitha palët.

mit/NOA
KOMENTE