Berisha: Drejtuesit E Ps-Së, Propagandë Nihiliste Për Të Mohuar Arritjet Historike Të Vendit
TIRANË, 12 Qershor/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje nga Pogradeci, se "drejtuesit e Partisë Socialiste po përpiqen të 'zerojnë' të gjitha arritjet historike të vendit me propagandën e tyre nihiliste".
Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë mori pjesë dje në përurimin e përfundimit të punimeve të shkollës së mesme të bashkuar "Dëshmorët e Pojskës" në Udënisht, të Pogradecit.
Në takimin me banorët e Udënishtit, Kryeministri Berisha renditi arritjet historike të vendit të cilat sipas tij mohohen nga pinjollët e bllokut që kanë pushtuar kupolën e Partisë Socialiste.
"Ata dështuan njëri pas tjetri në të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e integrimit. Vetëm natën që Shqipëria do të merrte ftesën për në NATO, përfaqësuesit e tyre do t'u deklaronin shqiptarëve se ftesa nuk do t'i jepej Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, ata kërkuan t'i fusin qytetarët shqiptarë në kuti dhe bënë çdo gjë për të nxirë të vërtetën për zgjedhjet e lira dhe të ndershme që zhvilluam", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri vuri në dukje se "drejtuesit e PS-së, bojkotuan parlamentin vetëm që BE-ja të mos hapte negociatat për statusin e kandidatit". "Ata ngritën çadrat para kryeministrisë dhe parlamentit dhe nisën të ashtuquajturën grevë qesharake, vetëm për të bllokuar vendimin për liberalizimin e vizave. E keqja e qytetarëve shqiptarë, është e mira e bllokmenëve të rinj", tha Kryeministri Berisha.
Kreu i Qeverisë theksoi se "këto vite Shqipëria provoi para Evropës, një shembull të vërtetë me ekonominë e saj, që është e bazuar tërësisht në iniciativën e lirë, në vlerat e tregut të lirë dhe rezistoi ndaj tsunamit botëror financiar, më mirë se çdo ekonomi tjetër".
Të gjitha projektet e buxhetit sot janë të sigurta, tha Kryeministri Berisha, ndërsa veçoi rritjen e rrogave dhe pensioneve në qytet dhe në fshat, për 820 mijë punonjës dhe pensionistë të vendit.
Ai i bëri thirrje "qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të bashkohen së bashku në projektin e Shqipërisë europiane, integrimin europian".
"Le ta lëmë Edi Ramën dhe kupolën e bllokmenëve të rinj në kuti, ose po të duan në bunker le të shkojnë. Ne të ecim të sigurt me reforma drejt Europës", tha Kryeministri Berisha./m.m//n.m/