Pogradec, 12 Qershor, NOA – Turin e inaugurimeve të shkollave të reja kryeministri Sali Berisha e ka vijuar në Pogradec ku përuroi përfundimin e punimeve në shkollën e mesme të bashkuar “Dëshmorët e Pojskës”, në fshatin Udënisht, të Pogradecit.
“Gjatë qeverisjes demokratike në rrethin e Pogradecit janë investuar 50 herë me shumë se në qeverisjet e mëparshme socialiste”, nënvizoi Berisha, ndaj duke i cilësuar si një hije të errët, dashakeqe ndaj zhvillimit të Shqipërisë krerët e PS-së, kryeministri Berisha deklaroi se “qëkur kupolën e Partisë Socialiste e pushtuan pinjollët e bllokut, nga mëngjesi deri në darkë nuk bëjnë gjë tjetër, veçse përpiqen t’ju nxjerrin për të ardhme, të shkuarën tuaj të hidhur, një propagandën nihiliste për të zeruar çdo arritje.”
Duke i renditur si arritje historike zgjedhjet e 28 qershorit, kur sipas kryeministrit qytetarët e Pogradecit dhe të mbarë Shqipërisë votuan në dinjitet të plotë, njësoj si qytetarët europianë, krei i qeverisë, tha se ishin pikërisht këto zgjedhje, mbi bazën e të cilave u morën vendimet më historike nga Bashkimi Europian, hapja e negociatave për statusin e kandidatit, dorëzimi i pyetësorit për statusin e kandidatit, pranimi i përgjigjeve për statusin e kandidatit dhe vendimi i Këshillit të Komisionerëve europianë për heqjen e vizave për Shqipërinë.
Rishtas duke ironizuar socialistët dhe liderin e tyre Edi Rama, kryeministri, theksoi se “pasi dështuan njëri pas tjetrit në të gjitha përpjekjet për të penguar procesin e integrimit, pas zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kërkuan t’i fusin qytetarët shqiptarë në kuti, duke dashur të nxijnë të vërtetën e zgjedhjeve më të ndershme të realizuara në vend”.
Duke i veshur epitetin “karnavalë” kryeministri Berisha evidentoi se ishte pikërisht për bllokimin e liberalizimit të vizave ngritja e çadrave para kryeministrisë dhe parlamentit, që rezultoi një grevë qesharake, pasi e keqja e qytetarëve shqiptarë, sipas Berishës, është e mira e bllokmenëve të rinj.
Sipas Berishës, Shqipëria provoi para Europës, një shembull me ekonominë e saj, që i rezistoi cunamit botëror financiar, më mirë se çdo ekonomi tjetër.
“Sot, ne jemi të sigurt në të gjitha projektet e buxhetit tonë, nga të cilat unë do të veçoj rritjen e rrogave dhe pensioneve në qytet dhe në fshat, për 820 mijë punonjës dhe pensionistë të vendit, më të madhe në historinë e Shqipërisë”, deklaroi përpara banorëve të Udënishtit, kryeministri Berisha.
Investimet e qeverisë për qytetin e Pogradecit llogariten 70 milion lekë për ndërtimin e rrugëve nacionale.
Shkolla e mesme e bashkuar “Dëshmorët e Pojskës” e sapoinauguruar i ka kushtuar buxhetit të shtetit plot 26 milion leke të reja. Ajo numëron 567 nxënës, nga të cilët 110 në arsimin parashkollor.
mit/NOA