English

Bërthamore - Times: Riadi Autorizon Izraelin Të Përdorë Hapësirën Ajrore Për Një Sulm Kundër Iranit

ROMË, 12 qershor /ATSH-ANSA/ - Arabia Saudite i ka lejuar përdorimin e hapësirës së saj ajrore Izraelit për një sulm të mundshëm kundër impianteve bërthamore iraniane, shkruan sot e përditshmja Times në botimin e saj elektronik, duke cituar burime të mbrojtjes në Gjirin Persik që kanë kërkuar të mbeten anonime. Pak ditë pas vendosjes së sanksioneve të reja kundër Teheranit nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, burimet konfirmojnë se Riadi i ka dhënë Izraelit një korridor të ngushtë ajror në veri të vendit për të shkurtuar distancën ndërmjet Shtetit hebre dhe Republikës islamike. Forcat saudite kanë kryer tashmë disa teste për t'u garantuar se bombarduesit izraelitë të mos sulmohen gabimisht nga avionët e Riadit ose nga sistemet kundërajrore. "Sauditët i kanë dhënë një autorizimi Izraelit për të fluturuar mbi territorin e tyre, në marrëveshje me Departamentin amerikan të Shteit", deklaroi një burim nga mbrojtja amerikane. Pavarësisht tensioneve ndërmjet dy vendeve, Izraeli dhe Arabia Saudite ndajnë një qëndrim fort të ngjashëm ndaj Republikës islamike dhe i druhen ambicieve të saj bërthamore. Katër objektivat madhore të një sulmi të mundshëm do të ishin impiantet për pasurimin e uraniumit në Natanz dhe Qom, impianti i Isfahan për konvertimin e mineralit në gaz dhe më pas të destinuar për centrifugat e pasurimit dhe për reaktorin me ujë në Arak. Ndërsa ndër objektivat dytësore është centrali bërthamor në Bushehr, ndërtuar nga rusët por që ende nuk është vënë në punë. Të gjitha objektivat ndodhen më shumë se 2000 kilometra nga Izraeli, në kufijtë e rezes së veprimit të bombarduesve të tij, edhe me një furnizim gjatë fluturimit, dhe një korridor ajror në Arabinë Saudite do ta shkurtonte konsiderueshëm distancën. /e.v/
KOMENTE