Durrës: Rikthehen Lundrimet E Trageteve Durrës-Ankona
DURRËS, 12 Qershor /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Tragetet e linjës Durrës - Ankona e kthim do të rifillojnë normalisht lundrimet më 21 qershor të këtij viti.
Pas afro 4 muaj mungese tragetet e udhëtarëve dhe kamionëve do të lundrojnë përsëri nga porti i Italisë qendrore drejt Durrësit, duke iu shtuar grafikëve të përditshëm të lundrimit drejt porteve të Barit e Triestes dhe anasjelltas.
Burime zyrtare nga agjencia administruese "Adria Ferries", bënë të ditur për ATSH-në se pas një lundrimi prove nga Ankona në Durrës para dy ditësh si dhe një lundrimi tjetër nga Durrrësi në Ankona, që do të realizohet më 17 qershor, tragetet e kësaj linje do të vazhdojnë normalisht lundrimet tre herë në javë në të dy drejtimet.
Sipas të njejtave burime, tragetet do të lundrojnë nga Durrësi drejt Ankonës të hënën, të mërkurën dhe të premten, ndërsa lundrimi drejt Durrësit si gjithmonë do të kryhet një ditë më pas.
Tragetet e linjës së Ankonës u shkëputën për arsye teknike në shkurt të këtij viti, ndërsa lundrimet e trageteve në linjat e Barit dhe Triestes vijuan pa probleme. Çdo ditë nga Durrësi dhe Bari (Itali) lundrojnë drejt porteve respektive 2-4 tragete, ndërsa tragetet Durrës-Trieste dhe kthim lundrojnë dy herë në javë. Lundrimet drejt Barit dhe Durrësit kryhen gjatë natës dhe zgjasin vetëm 8 orë, ndërsa ato drejt Ankonës dhe Triestes arrijnë përkatësisht në 18 dhe 24 orë.
Gjatë muajve qershor dhe korrik numri i udhëtarëve që shfrytëzojnë lundrimin me tragete dyfishohet për shkak të pushimeve verore dhe kthimit masiv të bashkëatdhetarëve. Kompanitë e lundrimeve gjatë stinës së verës, në bashkëpunim me Autoritetin portual dhe kapitenerinë e portit të Durrësit, venë në dispozicion të udhëtarëve disa tragete shtesë./s.s./