English

Finlandë - Mari Kiviniemi Merr Postin E Kryeministres Së Re Të Vendit

HELSINKI, 12 qershor /ATSH-L.Verdha/ - Në ditën e dytë të kongresit të Partisë finlandeze të Qendrës, Keskusta, u zgjodh edhe kryetarja e re e partisë, ministrja aktuale e Administratës Vendore, Mari Kiviniemi, e cila automatikisht pas një jave merr edhe postin e kryeministrit të Finlandës deri në zgjedhjet parlamentare të pranverës së vitit të ardhshëm. Pritet që javën e ardhshme të ketë ndryshime edhe në radhët e ministrave të tjerë të Partisë së Qendrës. Zgjedhjet e sotme kanë qenë ndër më të shumëpriturat në skenën politike finlandeze që nga momenti kur para shtatë muajsh kryeministri aktual, Matti Vanhanen deklaroi se do të jepte dorëheqjen për arsye shëndetësore. Në fakt, prej më shumë se një viti kryeministri Vanhanen ka qenë objekt i kritikave të forta në media për shpërdorim fondesh dhe abuzim të postit zyrtar në favor të përfitimeve personale. Mari Kiviniemi, 41 vjeçe, deputete që prej 15 vjetësh dhe e diplomuar në Shkencat Politike, fitoi në zgjedhjet e sotme në konkurencë me personalitete të njohura dhe me përvojë. Në historinë e Partisë së Qendrës, Kiviniemi është e dyta kryetare partie, ndërkohë që në historinë e Finlandës ajo është e dyta grua në postin e shefit të qeverisë./ a.jor.
KOMENTE