Fishë Teknike - Iran - Dymbëdhjetë Muaj Protesta Dhe Represion
TEHERAN, 12 qershor /ATSH-ANSA/ - Më poshtë vijon një kronologji e krizës politike në Iran gjatë 12 muajve të fundit pas zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit 2009.
12 QERSHOR - Gjatë mbylljes së qendrave të votimit, kandidati i moderuar Mir Hossein Musavi deklaron se ka fituar. Por Ministria e Brendshme njofton se fitues ka dalë presidenti Mahmud Ahmadinexhad. Opozita denoncon për manipulime dhe kërkon anulimin e rezultateve.
13 QERSHOR - Fillojnë manifestimet e para të mijëra opozitarëve, të shoqëruara me përplasje me forcat e sigurisë.
15 QERSHOR - Qindra mijëra persona, më shumë se një milionë sipas disave, sfidojnë urdhrin e Ministrisë së Brendshme për të mos marrë pjesë në manifestimin më të madh pas revolucionit të vitit 1979. Milicia islamike hap zjarr mbi turmën e njerëzve. Zyrtarisht, të paktën shtatë persona humbën jetën.
16-18 QERSHOR - Qindra mijëra persona marrin pjesë çdo ditë në manifestimet e organizuara në Teheran.
19 QERSHOR - Guida supreme, ajatollah Ali Khamenei, urdhëron fundin e protestave.
20 QERSHOR - Shtypet me dhunë një tjetër manifestim. Sipas lajmeve zyrtare të paktën 13 persona humbën jetën. Ndërsa në internet shfaqen pamjet e vdekjes së një vajze. Është Neda, ajo bëhet një nga simbolet e protestës.
17 KORRIK - Përleshje të reja ndodhin në qendër të Teheranit, ndërsa ish-presidenti pragmatik Akbar Hashemi Rafsanjani, i konsideruar si mbështetësi i Musavit, flet gjatë faljes së të premtes dhe kërkon një kompromis për të dalë nga kriza.
SHTATOR - Opozitarët rikthehen në sheshe për të protestuar duke përfituar çdo festë zyrtare të regjimit.
27 DHJETOR - Duke përkuar me Ashuren, kur shiitët përkujtojnë martirin Imam Hussein, dhjetëra mijëra opozitarë fillojnë manifestime të reja, në Teheran dhe në disa qytete të tjera. Nga represioni i regjimit të paktën tetë persona humbin jetën.
28 JANAR 2010 - Ekzekutohen dy dënimet e para me vdekje nga proceset gjyqësore për protestat. Varen Mohammad Reza Alizamani dhe Arash Rahmanipur, të dy nga 20 vjeç.
11 SHKURT 2010 - Me rastin e 21 vjetorit të revolucionit islamik, manifestime të reja të opozitës shtypen në një Teheran të rrethuar nga forcat e rendit.
10 QERSHOR 2010 - Duke iu druajtur një tjetër represioni të përgjakshëm, Musavi dhe lideri tjetër i opozitës, Mehdi Karrubi, anulojnë një manifestim që ishte planifikuar për t'u zhvilluar sot, ditën e përvjetorit të parë të zgjedhjeve.
/e.v/