English

Greqi- Papandreu Kërkon Të Bëjë Kursime Duke Luftuar Kundër Korrupsionit

T VJENË, 12 qershor /ATSH-AFP/ - Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, theksoi se lufta kundër korrupsionit do të bëjë të mundur kursime të mëdha dhe zvogëlimin e deficitit publik të vendit, në një intervistë për të përditshmen austriake "Der Standard" që publikohet sot. "Sipas një studimi të Institutit Brookings të Uashingtonit, mund të bëjmë kursime që arrijnë në 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, PBB, të barasvlershme me 20 miliardë euro, duke luftuar kundër korrupsiuonit. Ky është një shans i madh", deklaroi kreu i qeverisë greke. Papandreu u shpreh dje në mbrëmje në një fjalim përpara bankierëve të Institutit Ndërkombëtar të Financave në Vjenë se problemi i ekonomisë greke, me më tepër borxhe ndër vendet e zonës euro, vjen nga "keqadministrimi" i qeverisë së mëparshme. "Sistemi politik bsazohej në klientelizëm dhe patronazh, padrejtësi dhe pabarazi", u shpreh ai duke shtuar se "aparati gjigant shtetëror, mungesa e efikasitetit, centralizimi i tepruar dhe burokracia kanë bërë të mundur korruptimin e funksionarëve". Pyetjes nga e përditshmja "Der Standard" lidhur me perspektivat për rritjen e eksporteve për një vend që ka pak industri dhe shet kryesisht prodhime bujqësore, Papandreu iu përgjigj duke u shprehur se Greqia ka "produkte për të cilat mund të gjejmë tregje, si për shembull turizmin e nivelit të lartë dhe kuzhina mesdhetare e njohur në botë". Ai shtoi se Athina do të shfrytëzojë plotësisht mundësitë e ofruara nga Bashkimi Evropian dhe "do të përdorë më gjerësisht avantazhet e tregut të tij të përbashkët bujqësor". /I.Pu.
KOMENTE