Prishtinë, 12 Qershor, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka deklaruar se arrestimi i Kurtit, liderit të Lëvizjes “Vetëvendosje” është bërë me dhunë policore. “Monitorues të KMDLNj-së, menjëherë pas ndërhyrjes së njësisë speciale të Policisë së Kosovës vizituan qendrën e ndalimit ku ishin arrestuar 6 aktivistët e “Vetëvendosjes”, në mesin e të cilëve ishte edhe Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e shpërndarë prej kësaj organizate. Duke shtuar se “KMDLNj konstaton se gjatë ndërhyrjes për t’i kapur ata është përdorur sasi e madhe e gazit lotsjellës”. “Gjatë kësaj ndërhyrje, policia ka përdorur dhunë fizike duke u lënduar rëndë Salih Zyba, Frashër Krasniqi, Nderim Matoshi, Florian Molliqaj dhe Faton Zeka. Albin Kurti e ka të çarë ballin pasi policia e ka përplasur për dritare. Të arrestuarit janë rrahur edhe në vetura të policisë, si dhe në sallën e Qendrës për Ndalim”, përfundon deklarata në fjalë. Duke mos harruar të theksojë se KMDLNJ kërkon që të zhvillohen hetimet dhe përgjegjësit për këtë dhunë të mos mbesin të pandëshkuar. “KMDLNj do të kërkoj raport të ekspertit mjekoligjor për lëndimet e shkaktuara ndaj aktivistëve të “Vetëvendosjes” dhe nëse ka lëndime të tilla edhe për policët e lënduar”, citon deklarata. n.e/NOA