Kosovë, Arrestohet Lideri I Lëvizjes "Vetëvendosje!", Albin Kurti
PRISHTINË, 12 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Lideri i lëvizjes "Vetëvendosje", Albin Kurti, është arrestuar sot pasdite në selinë e kësaj lëvizjeje në Prishtinë. Njoftimi i dhënë nga kjo lëvizje u konfirmua dhe nga Policia e Kosovës.
Pak orë para arrestimit, sot në një konferencë shtypi, Kurti kishte paralajmëruar se lëvizja "Vetëvendosje!" do të merrte pjesë në zgjedhjet e ardhshme. Kurti njoftoi gjithashtu dhe se "sot lëvizja "Vetëvendosje!" kishte përvjetorin e pestë të themelimit të saj ".
Sipas lëvizjes "Vetëvendosje!", gjatë arrestimit policia ka përdorur dhunë dhe gaz lotësjellës.
Për Kurtin ka një urdhër-arresti të gjykatës së qarkut në Prishtinë, ku ai nuk është paraqitur në rreth dhjetë seanca në procesin në ngarkim të tij, duke filluar nga 15 shkurti.
Më 4 maj, në një njoftim të EULEX-it, bëhej e ditur se "në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është shtyrë gjykimi i Albin Kurtit deri më 21 qershor 2010", pasi ai përsëri nuk ishte paraqitur në seancën e radhës.
Procesi ndaj Kurtit ka të bëjë me demonstratën e organizuar nga lëvizja "Vetëvendosje" më 10 shkurtit 2007 në Prishtinë, kur u vranë dy demonstrues dhe u plagosën 80 të tjerë nga njësiti i policisë rumune, që vepronte në kuadër të UNMIK-ut. /s.s./