Liberalizimi I Vizave- Efekte Pozitive Ne Psikologjine Dhe Ekonomine Shqiptare
-Deklarojnë për ATSH-në ekspertet e ekonomisë, Artan Hoxha, Henri Çili dhe Gjergj Buxhuku-
TIRANE, 12 Qershor /ATSH-E.Xhajanka/- Ekspertët e ekonomisë, Artan Hoxha, drejtor i Institutit për Studime Bashkëkohore, Henri Çili, administrator i Universitetit Evropian te Tiranës dhe Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, ndajnë të njëjtin mendim lidhur me efektet pozitive që do të japë liberalizimi i vizave në ekonominë shqiptare, duke e vlerësuar këtë proces si një hap të rëndësishëm në çlirimin psikologjik të shqiptarëve për të lëvizur lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian dhe gradualisht integrimin e ekonomisë shqiptare me atë evropiane.
Eksperti Hoxha thotë se "procesi i liberalizimit të vizave të Shqipërisë me vendet anëtare të Bashkimit Evropian do të shënojë së pari arritjen e një synimi lidhur me një nga të drejtat më themelore, lirinë e lëvizjes".
Sipas tij, një arritje e tillë do të ketë efekte pozitive psikologjike dhe reale që ushqejnë njeri tjetrin. Efekti psikologjik do të jetë në radhë të parë mbi vetë shqiptarët, individualisht dhe kolektivisht, theksoi ai, duke nënvizuar se në një farë mënyre do të çlirohemi nga një ndjesi e marxhinalizimit që shoqëron çdo shqiptar përgjatë gjithë procesit të aplikimit për një vizë e deri në pikat kufitare, tokësore, portet apo aeroportet e vendeve europiane. "Efekti i dytë psikologjik është krijimi i një besimi nga vetë shqiptarët se institucionet e vendit të tyre ia dolën të arrijnë standardet e kërkuara të sigurisë", thotë Hoxha.
Ndërkohë që efekti i tretë, psikologjik, sipas tij, është që edhe vetë nëpunësit shqiptarë do të fitojnë më shumë respekt për detyrën e tyre, rregullat për të cilat kujdesen për t'u zbatuar dhe institucionet për të cilat punojnë. "Keto efekte pozitive do të shndërrohen në efekte reale të ndryshimit të sjelljes drejt, më korrekte dhe më pak informale të vetë shqiptareve dhe institucioneve shqiptare. Pra modernizim dhe normalizim në standarde europiane të sjelljes dhe veprimtarisë, thekson Hoxha.
Duke u ndalur në risitë pozitive të këtij procesi për vendin tonë, ai shprehet se pervec efektit psikologjik dhe efekteve reale, liberalizimi i vizave sjell drejtperdrejt efekte reale të tjera për shkak të eliminimit të shpenzimit të kohës, pagesave administrative apo pagesave nën dorë që aplikohen kur kërkohet një vizë. Akti i liberalizimit të vizave është një akt njohjeje nga pala europiane e progresit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, thotë ai.
Për z.Hoxha, një opinion i tillë do të kontribuojë në përmirësimin e imazhit të vendit dhe efekti psikologjik, nga këtu, s'ka se si të mos shndërrohet në efekt real ekonomik dhe jo vetëm, nënvizon ai. Sipas tij, masa e shndërrimit të efektit psikologjik në real është e panjohur. Përmirësimi i imazhit do të thotë se në rrethana të tjera të barabarta, rritet probabiliteti që një tregtar të mendojë më shumë për mundësira tregtie me Shqipërinë, një investitor po kështu, por edhe një vititor a turist po kështu, thotë ai.
Duke bërë një analizë të shkurtër mbi këtë temë, z.Hoxha thotë se ndërsa efektet e pritshme pozitive janë të pamatshme, por të dukshme, efektet negative të pritshme janë veçse të dobta dhe të përkohëshme, për mos të thënë që s'do ketë fare.
Për Henri Çilin, liberalizimi i vizave patjetër që do të sjellë çlirimin psikologjik të shqiptarëve, që në një farë mënyre kanë kohë që vuajnë nga izolimet e shumëfishta, herë të brendshme e herë të jashtme dhe "rënia" e kufijve do të thotë një rritje e lëvizjes së lirë dhe mbi të gjitha i jep shoqërisë shqiptare një status të barabartë me bashkësinë evropiane dhe perëndimore.
Çili është i mendimit se ky proces duhet kuptuar drejt, pasi liberalizimi i vizave nuk do të thotë punë në vendet e BE-së, por ja vlen gjithësesi që Evropa mos të lerë jashtë kufijve të saj 7-8 milionë ballkanas, Shqipërinë, Bosnjën e Kosovën, të cilët kanë të drejtë të levizin në një hapësisë prej 500 milion banorë, në një perandori të lirë.
Ndërkohë, vlerëson ai, që jemi duke pritur hapat për integrim evropian, është një moment i dytë, që referuar eksperiencave të Polonisë, Hungarisë etj, ka treguar që pas marrjes së statusit si vend kandidat për në BE, integrimi mbetet një indikator me impakt shumë pozitiv në ekonomitë e brendshme. Integrimi evropian heq çdo barrierë fiskale, doganore dhe shkëmbimi tregtar është në favor të të gjitha palëve.
"Të gjitha vendet pas integrimit kanë shënuar tregues pozitiv në ekonomitë e tyre, ndërkohë që integrimi i Shqipërisë, mendon ai, duhet të shoqërohet edhe me një medel të ri zhvillimi ekonomik, që duhet të inkurajojë disa sektorë me politika fiskale e subvencionim, të cilat duhet të bëhen konkurruese për të pushtur tregjet e vendeve të tjera . Pra duhet të konkurrojmë me ato sektorë ku ka avantazhe", thotë Çili.
Ndërsa Gjergj Buxhuku, lidhur me këtë argument është pak skeptik në planin e efekteve pozitive në ekonominë shqiptare.
Sipas tij, liberalizimi i vizave do të ulë fuqinë punëtore në sektorin e fasonëve, si një nga industritë eksportuese më të rëndësishme të ekonomisë së vendit, pasi tregu i punës do të synojë punën sezonale në vendet e BE-së, si rezultat i pagave më të larta se në Shqipëri.
Nga ana tjetër, vlerëson Buxhuku, çlirimi nga makthi izolim do të nxisë lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe do te përmirësojë shkembimet tregtare./s.s./