English

Mëhilli-PS-së: Hiqni dorë nga trashëgimia totalitare

Tiranë, 12 Qershor, NOA – Përvjetori i krijimit të Partisë Socialiste ishte sot në vëmendje edhe të selisë blu, por, jo me idealizmin me të cilën e karakterizoi lideri socialist, Rama, por si përvjetorin e 19-të të ndërrimit të emrit, nga Parti e Punës në atë Socialiste, të cilin sipas selisë blu Edi Rama e kremtoi dje në në turin e tij në Lezhë.

Ishte zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, e cila në replikën e PD-së ndaj ndaj thirrjeve të Ramës më herët, e riquajti partinë që Rama drejton si trashëgimtaren e barbarizmave më të mëdha, e mizorive, e ekzekutimeve pa gjyqe, e persekutimeve më të egra, e izolimit më të thellë dhe e varfërisë më të skajshme të kombit shqiptar, dhe që gjatë këtyre 19 viteve, ia doli të shndërrohet nga parti anti – evropiane dhe anti – atlantiste në një parti që vendosi në programin e saj integrimin euro – atlantik të vendit.

“Por sot, Partia Socialiste, me ardhjen në krye të bllokmenëve “junior”, është kthyer në një armike të egër të votës së lirë të shqiptarëve, në një klub bijsh që duan të hakmerren me çdo kusht për Vaterlonë e etërve të tyre e që duan të pengojnë në të gjitha mënyrat integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli.

Duke i quajtur udhëheqësit e PS-së, si pinjollë të ish bllokut, të cilët përmes mediash kanë rikthyer propagandën e shpifjeve, mashtrimeve dhe terrorit mediatik, theksoi bindjen e PD-së se socialistët po bëjnë gjithçka kundër interesave më jetike të shqiptarëve, po duan të pengojnë me çdo kusht integrimin e vendit në Bashkimin Europian, pikërisht në emër të interesave të ngushta për pushtet.

Duke i denoncuar këto qëndrime të PS-së, Partia Demokratike kërkon nga socialistët të të gjejë forcat për tu shkëputur sa më shpejt nga kjo trashëgimi totalitare.

mit/NOA
KOMENTE